Rama shpërthen për ndërtimet pa leje në Theth: “Bum ndërtimesh gjatë zgjedhjeve” dhe “ese filozofike mbi pafajësinë” nga prokurorja

Aktualitet

Rama shpërthen për ndërtimet pa leje në Theth: “Bum

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër sot nga Durrësi ndaj situatës së ndërtimit pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit. Në një takim me kryebashkiakët, Rama tha se gjatë periudhës së zgjedhjeve ka ndodhur një “bum ndërtimesh pa leje”, ndërsa akuzoi një prokurore për mosveprim.

Rama u shpreh i indinjuar për faktin që, ndonëse Policia e Shtetit ka bërë plot 40 kallëzime për ndërtimet e paligjshme, një prokurore vendosi të mos nisë hetimet, duke e trajtuar çështjen me një “ese filozofike mbi pafajësinë” e tyre. Ai rikujtoi se ndërtimet pa leje, sidomos në zona të mbrojtura si Thethi, janë vepra penale të rënda dhe se veprimet e tilla nuk mund të mbulohen më me indiferencë apo heshtje institucionale.

Sipas tij, shteti nuk mund të qëndrojë peng i mosfunksionimit të hallkave të drejtësisë, ndërkohë që fshatra të tërë turistikë ndërtohen pa asnjë dokument në një prej zonave më të çmuara natyrore të vendit. 

''Gjatë periudhës së zgjedhjeve, ose në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve në Teth ka pasur bum ndërtimesh pa leje si rezultat i përgatitjes së sezonit turistik. Policia e Shtetit ka bërë 40 denoncime, policia ka funksionuar, i ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori. Siç është bërë e ditur, në një flagrancë spektakolare ku është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes të Thethit, një prokurore ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, ka bërë ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimeve pa leje. Në Shqipëri ndërtimet pa leje janë vepër penale. Në një zonë të mbrojtur si Thethi është vepër penale edhe më e rëndë. IKMT ka filluar të veprojë. për të gjithë ata që u thonë pse u kujtuan tani dhe pse i lanë? Nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat dhe struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozicion të kësaj përpjekje, por përkundrazi është si kullose makaronash ku gjërat rrjedhin dhe pastaj faktet e kryera mbeten në territor, është një përpjekje që natyrshëm do të duhet të shfaqet në këtë formë. Në Theth kemi bërë një plan të tërë pune në Bashkinë Shkodër, kemi legalizuar ndërtimet e vjetra, kemi vendosur financime.''

Kryeministri e bëri të qartë se ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura nuk do të tolerohen dhe paralajmëroi se aksioni do të vijojë pavarësisht pengesave nga drejtësia.

ME TE LEXUARAT