Shqipëria po “plaket” me ritme alarmante - Rinia po largohet
Shqipëria po përjeton një përmbysje të fortë demografike. Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se numri i të moshuarve mbi 60 vjeç ka arritur në 691,788 persona, që përbëjnë 30% të popullsisë totale në vitin 2024.
Vetëm një vit më parë, kjo shifër ishte 28.15%. Krahasuar me vitin 2011, ku kjo grupmoshë përfaqësonte vetëm 15% të popullsisë, rritja është alarmante.
Në të njëjtën kohë, popullsia e re po tkurret ndjeshëm: grupmosha 0–29 vjeç u ul me 30 mijë persona në një vit, ndërsa popullsia totale u tkurr me 27 mijë banorë – një rënie prej 1.2%. Kjo është pasojë e emigrimit masiv dhe rënies së lindshmërisë.
Kjo zhvendosje drejt një shoqërie të plakur ka pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë e skemave të pensioneve dhe ngarkesën mbi sistemin shëndetësor. Ekspertët paralajmërojnë se, pa ndërhyrje të shpejtë dhe të qartë nga shteti, vendi rrezikon një krizë të thellë sociale dhe ekonomike.
Por çfarë kërkohet?
• Politika për rritjen e lindshmërisë dhe mbështetje konkrete për familjet;
• Kthimi i emigrantëve të rinj me kushte të favorshme;
• Investime në teknologji dhe infrastrukturë për përkujdesjen e të moshuarve;
• Ristrukturim i skemave të pensioneve.
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një fazë tranzicioni demografik. Pa reforma reale, pasojat do të jenë të rënda dhe afatgjata.