Skënder Hita vizitë zyrtare në Prishtinë: Shqipëria dhe Kosova do të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha. Në takim morën pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të të dy institucioneve policore.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, si dhe rezultatet e përbashkëta në luftën kundër kriminalitetit, krimit ndërkufitar dhe forcimit të sigurisë rajonale.
Në fjalën e tij, Skender Hita u shpreh se vizita në Prishtinë kishte një domethënie të veçantë për të.
“Ka vende që kur shkel, ndihen më shumë sesa mund të thuhen me fjalë. Prishtina është një prej tyre. Dhe unë sot, në vizitën time të parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk e ndjej këtë si një detyrim protokollar, por si privilegj, sepse jam mes vëllezërve”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Kolonel Gazmend Hoxha theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit operacional mes dy policive, duke e konsideruar atë kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Drejtuesit diskutuan gjithashtu mbi sfidat aktuale të sigurisë, rritjen e bashkëpunimit në hetime dhe operacione të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e informacionit mes strukturave policore të të dy vendeve.
Takimi u mbyll me zotimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të përbashkët.





