Reforma territoriale/ Mazniku: Sfidë eficenca e bashkive, Boçi: Pushteti vendor t’u rikthehet qytetarëve

Në Fier u zhvillua takimi i radhës i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor, organizata joqeveritare dhe deputetë, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte nevoja për një riorganizim të ri të pushtetit vendor.
Bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbjan Mazniku, u shpreh se fokusi i reformës duhet të jetë te kompetencat që duhet të kenë bashkitë për të ofruar më mirë shërbimet ndaj qytetarëve. Sipas tij, reforma territoriale e vitit 2014 ishte një hap pozitiv, por sfida kryesore mbetet eficenca e funksioneve dhe aftësia reale e bashkive për të garantuar shërbime cilësore e të qëndrueshme.
Mazniku theksoi se një numër më i vogël bashkish me kompetenca më të forta mund të ishte një zgjidhje më efikase për të rritur rolin e pushtetit vendor në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Shpesh herë kur themi raporti i qytetarit me shtetin, në fakt pjesa më e madhe e asaj që shumica e njerëzve të thjeshtë mendojnë kur flasin për ndërveprim me shtetin, po ta thyesh të bësh një listë, kupton që pjesa më e madhe është ndërveprimi i tyre me bashkinë e qytetit ku banojnë. Sepse pushteti vendor është i lidhur ngushtësisht me një mori gjërash të përditshmërisë së jetës së njerëzve. Ndaj tërësia e jetës sonë është e lidhur me mënyrën si funksionojnë bashkitë. Prandaj një reformë e tillë prek jetën e njerëzve. Sfida kryesore mbetet eficenca e funksioneve dhe mundësia reale e bashkive për të ofruar shërbime cilësore e të qëndrueshme. Si e kanë mundësinë bashkitë për të ofruar këto shërbime, a kanë mjaftueshëm të ardhura? A kanë mjaftueshëm njerëz? A ja dalin dot të gjitha bashkitë për t’i ofruar shërbim qytetarëve? Ne kemi një seri bashkishë që janë zhvilluar shumë. Por kemi disa bashki që e bëjnë këtë punë më pak mirë. Të gjitha këto na krijojnë një kuadër të nevojës për të bërë një reformë të re. Qoftë kjo nga ana e kompetencave, çfarë kompetencash duhet të kenë bashkitë? A duhet t’i kenë më të qarta? A duhet të kenë më shumë? Në cilin territor duhet të qeverisin bashkitë?”, tha mes të tjerash Mazniku.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luciano Boçi, deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përfaqësim, shërbime dhe autonomi vendore. Ai tha se në qarkun e Fierit ka kërkesa të vazhdueshme për një ndarje të re administrative dhe se procesi duhet të bazohet te konsultimi me qytetarët.
Boçi kritikoi mënyrën se si u realizua reforma e mëparshme, duke e cilësuar atë si një vendim politik që ka dobësuar përfaqësimin lokal dhe ka thelluar diferencat mes zonave urbane dhe rurale.
"Kërkesat kryesore të Europës lidhen me mjedisin, korrupsionin dhe raportin mes Parlamentit dhe ekzekutivit, jo vetëm me pushtetin vendor. Këto dëgjesa zhvillohen për t’ia afruar pushtetin vendor qytetarëve. Ajo që ekziston sot në Shqipëri është tensioni territorial. Njerëzit duan të riformatojnë territorin dhe kërkojnë bashki të forta, funksione të qarta, kompetenca të qarta dhe autonomi financiare reale. Ndarja e vitit 2014 ishte politike dhe jo në funksion të qytetarëve. Ka tension sepse opozita u la jashtë procesit dhe sepse janë hedhur variante që synojnë rritjen e numrit të bashkive në Fier dhe në gjithë Shqipërinë. Bashkitë e mëdha mund ta kenë zgjeruar territorin, por kanë larguar dhe zbehur pavarësinë lokale. Prandaj, të dashur miq, kërkoj që mendimet dhe fjalët tuaja të mos jenë në raport me politikën, por me qytetarin. Duhet sinqeritet dhe guxim për t’i dhënë Shqipërisë një pushtet vendor real, që i shërben jetës së qytetarëve dhe përmirësimit të jetës së tyre, në mënyrë që ata të qëndrojnë në territoret ku banojnë”, tha mes të tjerash Boçi.
Në dëgjesë foli edhe eksperti i komisionit, Agron Haxhimali, i cili vlerësoi rëndësinë e konsultimeve publike dhe theksoi se zëri i qytetarëve duhet të jetë vendimtar në hartimin e reformës së re administrative. Ai shtoi se deri tani në dëgjesat publike ka dominuar pakënaqësia e qytetarëve për mungesën e përfaqësimit dhe kërkoi konsensus politik për të shmangur gabimet e reformës së kaluar.


