Ilir Meta sqaron simbolin me 7 gishta, ankohet për sallën e re të GJKKO-së: Kondicioneri rridhte ujë sikur binte shi

Politikë

Ilir Meta sqaron simbolin me 7 gishta, ankohet për sallën e re të

Ilir Meta ka reaguar sërish pas seancës gjyqësore, duke sqaruar publikisht kuptimin e simbolit me shtatë gishta që bëri në sallën e gjyqit.

Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se simboli me numrin shtatë nuk kishte domethënie tjetër, por ishte një mesazh për kushtet në sallën e gjyqit.

Sipas Metës, ai iu drejtua deputetëve të pranishëm duke ironizuar se “standardet e kafazit nuk ishin me 5 yje, por me 7 yje”.

Ilir Meta përmendi gjithashtu edhe një incident në sallë, duke pretenduar se nga tavani rridhte ujë për shkak të problemeve me kondicionerin në ambientin e ri gjyqësor.

Në reagimin e tij, ai falenderoi edhe Partinë Demokratike dhe liderin e saj Sali Berisha për mbështetjen publike.

Meta shtoi gjithashtu se po punon për një libër mbi zhvillimet politike dhe reformën në drejtësi gjatë 10 viteve të fundit.

Postimi i Metës:

Dua t’ju falenderoj për vëmendjen që i kushtoni procesit gjyqësor ndaj meje pasi ju ndoqa në bisedën me avokatin tim, Z. Kujtim Cakrani, i cili më kishte lajmëruar më parë.

Po kështu, ju falenderoj për përpjekjet që po bëni për të realizuar një intervistë me mua këtu në IEVP “Jordan Misja”.

Deri tani në hapësirën gjeografike, midis Ishujve Azore dhe Vladivostokut, jam i vetmi i burgosur politik që nuk lejohet të intervistohet drejtpërdrejt nga gazetarët edhe pse disa prej tyre kanë marrë leje nga SPAK.

Lidhur me simbolin me numrin 7, avokati nuk pati mundësi ta dëgjonte sepse unë ju drejtova deputetëve të pranishëm se standardet e kafazit, nuk ishin me 5 yje por me 7 yje.

I vetmi problem që ndodhi dje, meqënëse ishte inauguruar dhe salla e re, kishte të bënte me kondicionerin sepse filloi të rridhte ujë nga tavani, sikur të binte shi, ndoshta ngaqë nuk është kolauduar mirëmbajtja e sallës akoma.

Një sqarim tjetër, në vijim të interesimit tuaj, është se jam shumë falenderues ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Prof. Dr. Sali Berisha për solidaritetin e tij dhe deputetëve demokratë, po kështu edhe për ndërkombëtarizimin prej tij të çështjes time.

Ndërsa sa i takon librit tim, do të jetë për 10 vitet e fundit, për t’u treguar shqiptarëve se si Reforma në Drejtësi, që u votua me 140 vota, sipas standardeve të Komisionit të Venecias, u shndërrua në Ramaformë me standarde si ato të “Lanës”, të denoncuara publikisht nga unë si President i Republikës edhe përpara Mitingut madhështor të 2 Marsit 2020.

Nuk po zgjatem më tej, por ju uroj të çani me sukses bllokadën dhe të bëjmë intervistën live këtu në IEVP “Jordan Misja”.

Ju e dini, unë jam i hapur për çdo pyetje!

ME TE LEXUARAT