Zjarr dhe tym masiv në fushën e mbetjeve të inceneratorit të Elbasanit!
Një vatër zjarri ka shpërthyer pasditen e sotme në fushën e grumbullimit të mbetjeve, në zonën e njohur si “landfilli” pranë Inceneratorit të Elbasanit, në periferi të qytetit.
Flakët e mëdha shoqërohen me shtëllunga të dendura tymi të zi që janë ngritur në ajër dhe po përhapen në drejtim të zonave të banuara të qytetit, duke krijuar një re të madhe dhe ndotjeje mbi Elbasan.
Bashkë me tymin, qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit dhe “erës” helmuese dhe rrezikun për shëndetin publik.
Forcat zjarrfikëse janë nisur për në vendngjarje dhe po përpiqen të përballojnë flakët, por përmasat e zjarrit dhe lloji i materialeve që po digjen, të cilat përfshijnë mbetje plastike, organike dhe të tjera të rrezikshme, po e bëjnë ndërhyrjen tepër të vështirë.