Tragjedi në Britani/ Pema bie mbi vajzën shqiptare, ndërron jetë 7-vjeçarja
Një ngjarje tragjike është shënuar në Essex të Britanisë së Madhe, ku një pemë ka rënë mbi 5 fëmijë që po luanin në park. Rasti i rëndë ka ndodhur ditën e shtunë, rreth orës 15:00, në parkun Chalkwell.
Nga rënia e kësaj peme, ka ndërruar jetë një vajzë shqiptare, e identifikuar si Leona Ruka, 7 vjeçe. Një dëshmitar i ngjarjes, është shprehur për BBC se janë dashur të paktën 40 deri në 50 persona për të larguar pemën që ndodhej mbi trupat e fëmijëve.
Sipas medias Echo, vogëlushja me vendbanim në Dagenham, ndodhej në zonë për të takuar familjarët e saj që jetojnë. Familja e vajzës, ka ndarë një mesazh prekës, për të voglën e tyre që ndërroi jetë tragjikisht.
“Leona ishte më shumë sesa thjesht një fëmijë, ajo ishte një dritë në jetën tonë dhe në jetën e të gjithë atyre që patën gëzimin ta takonin.
Ajo ishte një shpirt inteligjent dhe kurioz, plot energji dhe kreativitet. Një vajzë e vogël që gjithmonë eksploronte, gjithmonë bënte pyetje, gjithmonë ëndërronte. Kishte një zemër plot dashuri dhe një mendje plot ide të pafundme.
Ajo ishte qesharake, e sjellshme dhe plot jetë, një yll i shkëlqyer që sillte lumturi kudo që shkonte dhe takonte njerëz".
Nga kjo ngjarje, ka mbetur gjithashtu e lënduar rëndë dhe një 6-vjeçare, e cila ndodhet në spital në gjendje kritike. Tre fëmijët e tjerë morën lëndime më të lehta. Sakaq, ka nisur mbledhja e fondeve për funeralin e vajzës së vogël, si një mbështetje dhe solidarizim me familjen Ruka. Deri më tani, janë mbledhur më shumë se 30 mijë paund.
Po kështu, është propozuar që një pjesë e këtyre parave, të jepen dhe për familjen e 6-vjeçares që po lufton me jetën në spital