Sulmet ruse në Poloni, Zelensky: Europa duhet të forcojë tani mbrojtjen ajrore

Bota

Sulmet ruse në Poloni, Zelensky: Europa duhet të forcojë tani

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje vendeve evropiane ta nisin krijimin e një “ombrelle mbrojtëse ajrore”, pasi Rusia bombardoi sërish qytetin ukrainas Zaporizhja, duke plagosur të paktën 13 njerëz, mes tyre dy fëmijë.

Në një postim në rrjetet sociale më 16 shtator, Zelensky tha se raketat ruse “goditën qëllimisht për ta terrorizuar popullin tonë”, duke dëmtuar “shumë ndërtesa banimi”.

Ai shtoi se që nga fillimi i shtatorit, Moska ka lëshuar mbi 3.500 dronë dhe gati 190 raketa, si dhe mbi 2.500 bomba ajrore, kundër objektivave brenda Ukrainës dhe ka kryer “provokime ndaj partnerëve tanë”.

“Ky është pikërisht lloji i terrorit ajror kundër të cilit Ukraina kërkon mbrojtje të përbashkët – në mënyrë që askush të mos detyrohet të ngrejë me nxitim avionë luftarakë dhe të ndiejë presionin e Rusisë në kufijtë e tij”, shkroi Zelensky.

“Tani është koha të zbatojmë mbrojtjen e përbashkët të qiellit evropian me një sistem të shumëfishtë të mbrojtjes ajrore. Të gjitha teknologjitë për këtë ekzistojnë tashmë. Ajo që nevojitet janë investime dhe vendosmëri – veprime të forta dhe vendime nga të gjithë partnerët tanë”.

Çështja e neutralizimit të dronëve rusë, të cilët janë shtuar ndjeshëm gjatë më shumë se tri vjetëve të luftës, ka marrë vëmendje të re pasi mbi dhjetëra dronë rusë depërtuan javën e kaluar në Poloni, ndërsa një tjetër shkelje e hapësirës ajrore të NATO-s u regjistrua në Rumani.

Në fjalimin vjetor për “Gjendjen e Bashkimit Evropian”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për forcimin e mbrojtjes nga dronët, duke shpallur një hua prej 6 miliardë eurosh për t’u bashkuar në një “aleancë dronësh” me Ukrainën.

Ajo sugjeroi edhe një nismë të quajtur “Eastern Flank Watch”, që do të ofrojë “mbikëqyrje hapësinore në kohë reale” nga Baltiku deri në Detin e Zi.

Von der Leyen u zotua gjithashtu për ndërtimin e një “muri dronësh” – diçka që Komisioni i saj kishte refuzuar ta financonte më herët këtë vit, kur Estonia, Letonia dhe Lituania kërkuan fonde për një projekt të tillë.

Detajet për këtë nismë mbeten të paqarta: nuk ka shifra konkrete për buxhetin, as shtrirje të saktë gjeografike, përveç faktit që Komisioni Evropian pritet të paraqesë në tetor një plan të ri për projekte të përbashkëta mbrojtjeje.

“Në këto shtete kufitare duhet të krijojmë një ‘mur dronësh’ së bashku me Ukrainën dhe ta përfshijmë atë në këtë projekt”, tha më 15 shtator komisionari evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, për agjencinë ukrainase Ukrinform.

ME TE LEXUARAT