Greqia publikon hartën e re të kufijve detarë, "merr" 12 milje në territorin shqiptar?

Bota

Greqia publikon hartën e re të kufijve detarë, "merr"

Greqia ka publikuar zyrtarisht Planin Hapësinor Detar, duke përcaktuar pretendimet për kufijtë e saj detarë. Athina zyrtare ka publikuar një hartë të detajuar të pretendimeve të saj në hapësirat detare, në kufi me Italinë, Turqinë, Egjiptin por edhe me vendin tonë.

Sa i përket ndarjes së kufijve detarë me Shqipërinë, mediat greke raportojnë se me ndarjen e re pretendimet e Greqisë shkojnë duke u zgjeruar me 12 milje edhe në detin Jon, duke përfshirë nën territorin grek disa territore shqiptare.

Ende nuk ka asnjë reagim nga vendi ynë, teksa marrëdhëniet Shqipëri- Greqi mbeten të tensionuara për çështjen e detit, ligjin e luftës, apo edhe përplasjen e krijuar me arrestimin e Fredi Belerit.

Sipas qeverisë greke, në hartë përfshihen kufijtë e jashtëm të shtetit kontinental grek deri në përfundimin e marrëveshjeve me shtetet fqinje, brigjet e të cilëve janë ngjitur ose përballë brigjeve greke.

Harta përfshin gjithashtu kufijtë e detit territorial, legjislacionin kombëtar ekzistues, protokollin greko-turk të vitit 1926, marrëveshjen dhe protokollin italo-turk të vitit 1932, me rezervimin e përgjithshëm të zgjerimit të gjerësisë në 12 milje detare, në përputhje me Konventën për të Drejtën e Detit, e cila pasqyron të drejtën zakonore ndërkombëtare.

Përmes këtij plani, Greqia afirmon të drejtën e saj për ndikim të plotë jo vetëm mbi brigjet kontinentale, por edhe mbi ishujt, duke shtrirë kufijtë e ZEE-së së saj deri në zonën perëndimore të asaj qipriote. 

Dokumenti zyrtar përfshin gjithashtu edhe ujërat territoriale ekzistuese, 12 milje në detin Jon dhe 6 milje në pjesën tjetër të hapësirës detare, me të drejtën për zgjerim deri në 12 milje, siç lejohet nga Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit.

Ky veprim i Greqisë vjen në një kohë kur tensionet në Mesdheun Lindor janë të larta, duke rritur më tej ndërlikimet gjeopolitike në rajon dhe duke vënë në pah rëndësinë e diplomacisë ndërkombëtare në çështjet e sovranitetit detar.

ME TE LEXUARAT