Izraeli merr vendimin, ndalon palestinezët të hyjnë në detin Mesdhe! Banorët: Ishte e vetmja rrugë për të shuar etjen

Bota

Izraeli merr vendimin, ndalon palestinezët të hyjnë në detin

Ushtria izraelite ka përsëritur ndalimin e hyrjes së palestinezëve në detin Mesdhe përgjatë Rripit të Gazës, një politikë e vendosur që prej 7 tetorit 2023, por që deri më tani nuk zbatohej kundër notuesve dhe banorëve të zakonshëm.

Ky vendim pritet të godasë rëndë popullsinë palestineze, e cila tashmë po përballet me mungesë ekstreme të ujit të pijshëm, temperatura të larta vere dhe kushte humanitare gjithnjë e më të rënda në kampet e improvizuara.

Siç raporton Haaretz, zëdhënësi në arabisht i IDF-së, Avichay Adraee, e përsëriti ndalimin të hënën në platformën X: “Janë vendosur kufizime të rrepta sigurie në zonën detare pranë Gazës, hyrja në det është e ndaluar,” shkroi ai, duke paralajmëruar peshkatarët, notuesit dhe zhytësit që të shmangin bregdetin dhe ujërat e Gazës. “Hyrja në plazh dhe ujëra përgjatë gjithë Rripit të Gazës rrezikon jetën tuaj,” shtoi Adraee.

Kjo masë, e cila në muajt e parë të luftës zbatohej vetëm ndaj peshkatarëve, tani duket se shtrihet edhe tek banorët që deri më tani përdornin detin si të vetmen strehë nga të nxehtit dhe uria. IDF nuk dha detaje mbi arsyet konkrete të këtij vendimi dhe as për kohëzgjatjen e tij.

Prej 21 muajsh, lufta në Gaza ka shkatërruar tërësisht infrastrukturën dhe shërbimet bazë. Për shumë familje të strehuara në tenda pranë bregut, deti ishte i vetmi vend ku mund të laheshin, të freskoheshin dhe të përpiqeshin të siguronin diçka për të ngrënë.

Rajaa Qudeih, një nënë 31-vjeçare nga Deir al-Balah, i tha Haaretz: “Jam e uritur, me etje dhe plas nga vapa. Gaza po kalon urinë më të keqe, nuk kemi bukë, nuk kemi ujë. Deti ishte i vetmi vend që na kishte mbetur. Nëse do na vrasin që shkojmë atje, ndoshta është më e lehtë sesa kjo vdekje e ngadaltë. Por kam frikë për fëmijët. Djali im i madh është 9 vjeç. Si t’i shpjegoj atij që noti mund ta vrasë?”

Qudeih shtoi me zemërim: “Jetojmë në një tendë pranë detit. Ku tjetër të shkojmë? Do na ndalojnë edhe ajrin?”

OKB vlerëson se mbi 90% e popullsisë së Gazës është aktualisht e zhvendosur, duke jetuar në tenda të mbipopulluara ose strehime me akses minimal në ujë të pastër dhe energji elektrike. Organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një emergjencë shëndetësore për shkak të dehidrimit, goditjes nga të nxehtit dhe sëmundjeve nga uji i ndotur.

Deti për shumë familje ishte alternativa e fundit për të siguruar pak ujë ose për t’u larë. Sipas shifrave zyrtare, mbi 95% e ujit në Gaza nuk është i pijshëm, ndërsa impiantet e desalinizimit janë jashtë funksioni. Banorët mbijetojnë me furnizime sporadike dhe të shtrenjta në shishe ose cisterna, të pamjaftueshme, sidomos në jug ku janë grumbulluar shumica e të zhvendosurve.

Peshkatarët janë ndër më të goditurit: para luftës, mbi 6.000 njerëz fitonin jetesën nga peshkimi. Që prej fillimit të luftës, sipas OKB-së, më shumë se 210 peshkatarë janë vrarë nga IDF. Izraeli ka vendosur herë pas here kufizime detare ndaj Gazës edhe para luftës, duke përmendur arsye sigurie si parandalimi i kontrabandës së armëve ose sulmeve. Por tani, për shumë palestinezë, edhe kjo strehë e fundit është mbyllur.

 

ME TE LEXUARAT