SHBA anulon vizat e liderëve palestinezë
Autoritetet amerikane u kanë anuluar vizat 80 zyrtarëve palestinezë, përfshirë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, duke ua pamundësuar pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në shtator.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka reaguar duke theksuar se është e rëndësishme që të gjitha vendet anëtare dhe vëzhguese të jenë të përfaqësuara në ngjarjen e Asamblesë për Palestinën.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se presidentit palestinez Mahmoud Abbas nuk do t’i lejohet pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator në Nju Jork. Përveç tij, vizat u janë anuluar edhe 80 zyrtarëve të tjerë palestinezë.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka fajësuar ata për minimin e përpjekjeve për paqe dhe për kërkimin e njëanshëm të njohjes së një shteti palestinez të supozuar.
Rubio ka theksuar se përfaqësuesit palestinezë në misionin e OKB-së në Nju Jork mund të marrin pjesë vetëm në takimet e parashikuara në përputhje me Marrëveshjen e Selisë së OKB-së, dokument që rregullon funksionimin e operacioneve të Kombeve të Bashkuara në SHBA.
Zyra e presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ka reaguar duke thënë se është e habitur nga ky vendim për vizat, i cili, sipas saj, është në kundërshtim të qartë me të drejtën ndërkombëtare dhe me Marrëveshjen e Selisë së OKB-së, veçanërisht duke pasur parasysh se Palestina gëzon statusin e anëtarit vëzhgues në Kombet e Bashkuara.
Ka reaguar edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara përmes zëdhënësit Stephane Dujarric, i cili tha se është e rëndësishme që të gjitha shtetet anëtare dhe vëzhguese të jenë të përfaqësuara në ngjarjet e OKB-së. Ai shtoi se OKB-ja do të bisedojë me Departamentin Amerikan të Shtetit për çështjen e vizave për zyrtarët palestinezë.
Ky vendim, i mirëpritur nga Izraeli, konsiderohet i pazakontë, pasi tradicionalisht SHBA-të lehtësojnë udhëtimin për zyrtarët e të gjitha vendeve që dëshirojnë të vizitojnë selinë e OKB-së.