Sa u pagua La Civita? Nis deklarimi i parave që shpenzuan në zgjedhje partitë e deputetët
Me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit, partitë politike kanë nisur numërimin mbrapsht për dorëzimin e deklarimeve financiare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Afati ligjor është 60 ditë nga shpallja e rezultatit, pra deri në fund të tetorit, dhe mosdeklarimi i saktë rrezikon gjoba për kandidatët dhe partitë.
Vëmendja më e madhe është te dy forcat kryesore, PS dhe PD. Në kampin demokrat, ende mbetet mister fatura e lobistit amerikan Chris LaCivita. Sali Berisha ka premtuar se do ta bëjë publike “ditën që ligji e detyron”, duke lënë të hapur pikëpyetjen mbi shumën e paguar.
Nga ana tjetër, kandidatët e listave kanë dorëzuar tashmë një pjesë të shpenzimeve të tyre. Në qarkun e Elbasanit, ish-komisioneri i Vettingut, Olsi Komiçi – tashmë deputet socialist – ka deklaruar mbi 25 mijë euro të investuara në fushatë, ndërsa Sara Mila, kandidatja më e votuar e qarkut, ka raportuar 9 mijë euro.
Në Vlorë, Ardit Bido ka shpenzuar rreth 20 mijë euro, ndërsa Damian Gjiknuri 10 mijë euro. Më i kursyeri ka qenë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, me vetëm 3 mijë euro në Lezhë.
Në kampin blu, më shumë fonde ka hedhur Gjin Gjoni me 10 mijë euro, i ndjekur nga Belind Këlliçi me 8 mijë euro, kryesisht nga donacione. Shpenzime shumë më modeste kanë deklaruar Jozefina Topalli dhe Agron Gjekmarkaj me nga 1,500 euro. Ndërkohë, figura të njohura si Sali Berisha, Edi Paloka e Flamur Noka kanë raportuar zero shpenzime, duke ia lënë barrën partisë.
E njëjta situatë është edhe në Partinë Socialiste, ku disa emra si Endrit Brahimllari dhe Zegjine Çaushi figurojnë me zero shpenzime. Për kryeministrin Edi Rama ende nuk është pasqyruar asnjë dokument zyrtar.
Në përfundim të afatit, të gjitha deklarimet do të auditohen nga KQZ, dhe çdo mospërputhje në shifra do të sjellë penalitete financiare për kandidatët apo vetë partitë.