Të shtëna me armë mes adoleshentëve në Francë! Vritet 15-vjeçari, plagosen dy të mitur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Nantes në Francë, ku një 15-vjeçar është vrarë dhe dy të mitur të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri, që dyshohet të jetë i lidhur me trafikun e drogës.
Sipas autoriteteve franceze, ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje rreth orës 19:30, në një pallat apartamentesh. Dy persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me motoçikletë, kanë hapur zjarr ndaj tre adoleshentëve dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori i Nantes ka konfirmuar se njëri prej viktimave, një 15-vjeçar, ka humbur jetën në hyrje të ndërtesës. Një 13-vjeçar ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një 14-vjeçar tjetër ka mbetur i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, autorët dyshohet se kanë ndjekur një nga të rinjtë deri në katin e 13-të të pallatit, ku ai ishte strehuar në një apartament, duke treguar një nivel të lartë brutaliteti në sulm.
Autoritetet franceze po e hetojnë ngjarjen si një përplasje të mundshme mes grupeve kriminale të përfshira në trafikun e drogës, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë.


