EMRI/ PD “përjashton” deputetët që nuk u rizgjodhën në 11 Maj, thirret vetëm Ervin Salianji
Dy ditë para mbledhjes së parë të Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen e kryesisë e cila do të përcaktojë edhe qëndrimin politik që do të mbajë opozita në këtë legjislaturë. Zyra e shtypit e PD-së bëri të ditur se mbledhja do të zhvillohet sot në orën 13:00 dhe do të hapet me një fjalë të liderit të opozitës, Sali Berisha.
Kryesia e PD-së numëron 18 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i demokratëve dhe 15 anëtarë ex officio, për shkak të pozicioneve që kanë mbajtur në komisionet parlamentare gjatë legjislaturës së kaluar. Sipas TCH katër prej anëtarëve ex officio të cilët nuk u zgjodhën deputetë Helidon Bushati, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji dhe Ferdinand Xhaferraj nuk janë thirrur në mbledhjen e sotme të kryesisë.
Ndërkohë që vetëm njëri prej tyre, Ervin Salianji është njoftuar për takimin e mesditës.
Pak ditë më parë, me të njëjtin parim për deputetët që nuk kanë marrë mandat, nuk mund të jenë në strukturat drejtuese, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka hoqi nga grupi i komunikimit të Whatsapp rreth 15 ish deputetë demokratë të cilët ishin anëtarë të Këshillit Kombëtar prej mandatit që kishin fituar katër vjet më parë.