Skandal në Champions/ Tifozët e polakë me baner provokues “Kosova është Serbi”
Një episod i rëndë dhe jashtë çdo norme sportive është regjistruar në sfidën Lech Poznan–Crvena Zvezda, e vlefshme për kualifikueset e Champions League. Gjatë ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Poznań”, tifozët vendas shpalosën një baner me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, duke nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik.
Përtej rezultatit 1-3 në fushë, skena të tilla në tribuna kanë hedhur hije mbi një kompeticion të nivelit më të lartë europian, ku mesazhet politike nuk kanë asnjë vend. Ajo që shton edhe më shumë peshën e skandalit është fakti se klubi serb, Crvena Zvezda, ka falënderuar hapur tifozët e Lech Poznan për këtë gjest.
Ky nuk është rasti i parë ku futbolli europian përballet me incidente të ngjashme, por UEFA pritet të marrë në shqyrtim këtë shkelje të qartë të rregullave, që ndalon çdo shfaqje politike në ambientet sportive.
Mesazhet që nxisin urrejtje, provokojnë ndasi politike apo cënojnë sovranitetin e vendeve të tjera janë në kundërshtim të plotë me frymën e fair-play-t dhe vlerat që promovon futbolli.