OpenAI prezanton GPT-5.2, kundërpërgjigje ndaj modelit Gemini 3 të Google

OpenAI ka hedhur në treg modelin e ri GPT-5.2, një lëvizje që vjen si kundërpërgjigje ndaj Gemini 3, modelit të avancuar të Inteligjencës Artificiale që Google prezantoi së fundmi për të rifituar terren në garën e AI-së.
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, ka vendosur kompaninë në “alarm të kuq” që në fillim të dhjetorit, pasi Gemini 3 arriti rezultate shumë të larta në një sërë testesh ndërkombëtare për sistemet e AI-së.
OpenAI deklaroi se GPT-5.2 sjell përmirësime të dukshme në aftësitë e përgjithshme të arsyetimit, programim, si dhe menaxhimin e bisedave të gjata dhe komplekse.
Kompania theksoi gjithashtu se modeli i ri ofron vlerë më të madhe praktike dhe ekonomike për përdoruesit, falë performancës së tij më të mirë në krijimin e prezantimeve, tabelave të të dhënave dhe detyrave të shumëfishta që kërkojnë hapa të strukturuar.
Modeli GPT-5.2 ofrohet në tre versione:
Instant, i fokusuar te shpejtësia në shkrimin e teksteve dhe kërkimin e informacionit,
Thinking, i dedikuar detyrave të strukturuara si programimi dhe dizajni,
Pro, që synon saktësi më të lartë në temat më të vështira.
Kujtojmë, se Disney po investon 1 miliard dollarë në OpenAI. Kompania do të lejojë përdorimin e personazheve të Star Wars, Pixar dhe Marvel brenda shërbimit të krijimit të videove Sora, duke hapur rrugën për integrime të reja kreative midis teknologjisë dhe industrisë së argëtimit.
Në panoramën globale të AI-së, lëvizjet e fundit tregojnë se gara mes gjigantëve teknologjikë po hyn në një fazë edhe më dinamike, me pasoja të drejtpërdrejta për përdoruesit, bizneset dhe tregun e inovacionit.


