Publikohet raporti, sa shpenzojnë kandidatët për një karrige në Kuvendin e Kosovës

Si u përzgjodhën kandidatët për deputet nga partitë politike dhe sa shpenzuan ata në tentativën e tyre për të fituar karrigen në parlament?
Këtyre pyetjeve, për herë të parë në Kosovë, u është përgjigjur raporti “Kostoja e Politikës në Kosovë”, një bashkëpunim mes organizatës joqeveritare Demokraci Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD).
Kjo bëri që, për herë të parë, partitë politike të jenë transparente për shpenzimet dhe burimet financiare gjatë fushatës zgjedhore.
Në bazë të raportit, rezulton se mesatarja e shpenzimeve për një kandidat është 9 mijë e 463 euro, ndërsa kandidatët fitues shpenzojnë mesatarisht 12 mijë e 150 euro. Ata të pazgjedhur shpenzojnë 4 mijë e 90 euro. Sipas raportit, gratë kanë shpenzuar më shumë krahasuar me burrat gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërsa sa i përket kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve, partitë dallojnë.
“Në Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatët na kanë thënë se është marrë parasysh aspekti gjeografik i përfaqësimit, me ndikimin që këta persona kanë në zonat nga vijnë. Pastaj, ka qenë aftësia polarizuese e kandidatëve në kuptimin e përfaqësimit të temave qendrore, politike dhe ballafaqimit me rivalët politikë. Aktivistët e hershëm dhe ata që kanë pasur një pushtet ekzekutiv kanë pasur përparësi në lista. Afërsia me liderin dhe me strukturat e partisë ka qenë një kriter tjetër i pashkruar,” thotë Albert Krasniqi, Drejtor i Programeve te “Demokraci Plus”.
Te PDK-ja, rëndësi i është dhënë të kaluarës së pastër të kandidatëve dhe kritereve të tjera.
“Te Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë kriter që të mos kenë aktakuza, të jetë një listë e pastër dhe me integritet; të jenë figura politike dhe të jenë profilizuar në fusha të caktuara. Mosha dhe kandidatët që nuk kanë pasur angazhime të mëhershme politike kanë qenë pjesë e përpjekjes për të paraqitur reforma në parti. Pastaj, historiku i kontributit për vendin dhe lidhjet me luftën e UÇK-së kanë qenë elementë të rëndësishëm. Po ashtu, është marrë parasysh edhe përfaqësimi gjeografik jashtë rajonit të Drenicës, pasi partia shihet me bazë kryesore aty,” thotë Albert Krasniqi, Drejtor i Programeve te “Demokraci Plus”.


