Apeli i GJKKO vendosi të rikthehej në qeli për rreth 11 ditë, Vangjush Dako përfundon në spital

Aktualitet
Apeli i GJKKO vendosi të rikthehej në qeli për rreth 11

Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, ka përfunduar në spital pas vendimit të Apelit të GjKKO për rikthimin e tij në qeli për të vuajtur dënimin e mbetur prej rreth 11 ditësh.

Sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, Dako ka perfunduar në spital, pasi ka kaluar aritmi kur është vënë në dijeni të vendimit.

“Dako ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Ai është gjetur në banesë kur treshja gjykuese ka firmosur vendimin. Kur ka rënë në dijeni të vendimit, ka pësuar aritmi sipas mjekëve.

Nga policia konfirmoj se Dako është duke qëndrua në kujdesin e mjekëve dhe në ruajtjen e policisë, derisa të shkojnë forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve, të cilat do ta marrin më pas në dorëzim. Nëse do shkoj në spital apo do shkojë në burg, mbetët për t’u parë në orët në vijim”, raporton Lala.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës me 2 vjet e 8 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, të dhënë nga shkalla e parë, lidhur me paligjshmëritë në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Megjithatë, përveç periudhës së qëndrimit në qeli nga arrestimi i tij më 6 qershor 2023 deri më 27 shkurt 2024, kur u lirua për shkak të mbarimit të afatit të paraburgimit, Dakos do t’i duhet të shlyejë edhe rreth 11 ditë burg, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në “arrest shtëpie”, që gjithashtu njihet si vuajtje dënimi.

Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit të martën, 16 shtator.

Sipas prokurorisë, nga përllogaritja e kryer ka rezultuar se Dako duhet të qëndrojë në qeli edhe 11 ditë, pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë 9 muajve që qëndroi në paraburgim dhe periudhës tjetër në “arrest shtëpie”. Koha e paraburgimit përllogaritet si një ditë e gjysmë heqje lirie.

ME TE LEXUARAT