Berisha del nga selia i shoqëruar nga militantët, marshojnë drejt Kryeministrisë

Sikurse ishte paralajmëruar, ka nisur protesta e opozitës prej orësh 18:00. Kreu i PD mbërriti fillimisht në selinë blu, nga ku nisi marshimin drejt Kryeministrisë.
Berisha shoqërohet nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Ashtu sikurse në protestën e një jave më parë, policia e kryeqytetit njoftoi se nuk merr përsipër protestën, ndërsa janë marrë masa për sigurimin e rendit.
1,300 forca janë në gatishmëri para godinës së Kryeministrisë. Në fokus të policisë është ruajtja e institucioneve, ndërsa janë marrë masat antitubim me autoboot uji, zjarrfikëse dhe ambulanca nëse do të jetë e nevojshme.
Në urën e drejtorisë së policisë është ndaluar qarkullimi për automjetet. Nëse skenari do të jetë i njëjtë si në protesta e shkuara, tubimi pritet të jetë me trazira me hedhje molotovësh dhe lëndësh piroteknike.
Sali Berisha ka dalë nga selia blu duke iu drejtuar bulevardit për të Kryeministria, aty ku është pikëtakimi me protestuesit. Berisha është ndjekur nga mbështetës, por edhe nga eksponentë të tjerë të PD. Kjo protestë e sotmja, është menduar të zhvillohet pa fjalime, ndryshe nga sa ka ndodhur në protestat e mëparshme kombëtare.
Krah Berishës, shfaqen edhe Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj./TCH


