IMT prish tre banesa të paligjshme mbi kanalin e ujërave të larta në Vlorë

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, prishi sot tre banesa të ndërtuara ilegalisht mbi kanalin e ujërave të larta në qytetin e Vlorës.
Në terren ishte e pranishme kryetarja e Bashkisë, Brunilda Mersini, e cila theksoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për lirimin e plotë të kanalit dhe rikthimin e kapaciteteve të tij funksionale.
Sipas saj, ndërtime të tilla kanë penguar qarkullimin e ujërave dhe kanë shkaktuar përmbytje në zonat përreth gjatë viteve.
Bashkia njoftoi se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, me qëllim pastrimin përfundimtar të kanalit nga çdo ndërtim i paligjshëm.
Autoritetet po sigurojnë gjithashtu mbështetje sociale për familjet e prekura, duke ofruar përfitime nga bonusi i banesës dhe programe të strehimit social, për të lehtësuar pasojat e prishjes.


