Incidenti në Fier, nipat e Agron Kapllanajt: Nuk e dinim që na rrethuan oficerët e BKH!
Zbardhet dëshmia e dhënë në polici nga tre të arrestuarit lidhur me përplasjen mes njerëzve të Agron Kapllanaj në kompaninë e të vëllait në Fier dhe hetuesve të BKH.
Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj (dy nipërit e Kapllanajt) dhe Gerald Kollçaku akuzohen me akuzën ‘Goditje për shkak të detyrës’.
Ata kanë thënë në dëshminë e tyre në polici se nuk e dinin që personat me të cilët u përplasën ishin të SPAK, në të kundërt nuk do të silleshin në këtë mënyrë.
Në një komunikim zyrtar një ditë më parë, SPAK, ndonëse nuk dha shpjegime, tha se hetuesit janë bërë objekt i sulmit pa asnjë shkak.
Sipas SPAK, hetuesit e BKH-së dhe efektivët e policisë po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por, ish-kryebashkiaku i Mallakastrës Agron Kapllanaj pretendoi se njëri prej tyre ka sharë dhe kërcënuar, por mohoi të ketë pasur sulm.
“Hetuesit e BKH -së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërsa hetuesit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në policinë e Fierit”, thuhej në reagimin e SPAK.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në aksin Fier – Patos, në afërsi të një kompanie, në pronësi të Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i Agron Kapllanaj. Djali i Shkëlqimit bashkë me djalin e vëllait tjetër, Pëllumbit u përplasën fizikisht me oficerët e BKH-së. Gerald Kollçaku, punonjës i fabrikës dhe mik i tyre, u përfshi gjithashtu në konflikt.