Kavajë, Humb jetën 59-vjeçari nga Tirana, dyshohet për arrest kardiak në det
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të enjteje në zonën bregdetare të Qerretit, Kavajë, ku një pushues ka humbur jetën menjëherë pasi është futur në det.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00. Viktima është identifikuar si K. Gj., 59 vjeç, me banim në Tiranë. Dyshohet se ai ka pësuar një arrest kardiak në momentin që ka hyrë në ujë për t’u larë.
Pavarësisht ndërhyrjes së pushuesve dhe ndihmës së shpejtë, ai nuk ka arritur të mbijetojë. Trupi i pajetë është nxjerrë nga deti dhe është transportuar për në morg, ku pritet ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave. Deri më tani, gjithçka çon drejt një ndërlikimi shëndetësor të menjëhershëm, që i ka marrë jetën 59-vjeçarit ndërsa po shijonte pushimet në bregdet.