Lazarat/ Sekuestrohen 1.4 kg kanabis, arrestohet një person
Policia ka goditur një tjetër rast të kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Si rezultat i operacionit të koduar “Koordinata”, u sekuestruan 1.4 kilogramë kanabis dhe u asgjësuan disa bimë narkotike të kultivuara në oborrin e një banese.
Në pranga ka rënë shtetasi M. M., i cili u kap në flagrancë gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër.
Sipas burimeve zyrtare, në banesën e këtij shtetasi u gjetën rreth 1.4 kg lëndë narkotike gati për shitje, ndërsa në ambientet e jashtme u zbuluan bimë të dyshuara si Cannabis Sativa të sapo kultivuara.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.