Lefter Koka lë përkohësisht qelinë, i miratohen 6 orë leje
Ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i është dhënë sot një leje 6-orëshe për t’u larguar nga qelia. Ai është lejuar të dalë nga ora 11:00 deri në 17:00, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të nënës së tij.
Leja është miratuar nga Ministri i Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe drejtuesi i burgut të Durrësit. Koka është shoqëruar nga forca të shumta policie gjatë daljes.
Kujtojmë se ai ndodhet në burg që prej dhjetorit 2021, i dënuar me 6 vite e 8 muaj për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe me 2 vite për atë të Tiranës. Ndërkohë, për inceneratorin e Fierit çështja ndodhet në rigjykim.