Lirimi i hapësirave publike në Durrës, ja ku do të ndërhyjë IMT në ditët në vijim
Aksioni për çlirimin e hapësirave publike nga ndërtimet dhe objektet pa leje po vijon me intensitet në qytetin e Durrësit. Pas ndërhyrjeve në lagjet nr.3 dhe nr.4, Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, Policinë e Rendit dhe strukturat në varësi të Bashkisë, do të zhvendosin operacionin në lagjen nr.9 dhe nr.11.
Në fokus të këtij aksioni janë tenda, pedana, trarë të vendosur në vendparkime publike, blloqe betoni, vazo lulesh, mure apo struktura të tjera që kanë zënë hapësira publike në kundërshtim me ligjin.
Kryebashkiakja Emiriana Sako ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke ndarë pamje nga puna në terren dhe ka përcjellë një thirrje të qartë për bashkëpunim nga qytetarët dhe subjektet private.
“Ftojmë qytetarët dhe subjektet private të bashkëpunojnë për respektimin e hapësirave publike duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë,” – ka deklaruar Sako.
Sipas saj, hapësirat publike do t’i rikthehen qytetarëve kudo ku janë zënë në shkelje të ligjit.
Ky aksion vjen në një moment ku zaptimi i hapësirave publike është bërë shqetësim i përhershëm për komunitetin, sidomos në sezonin turistik, kur qarkullimi dhe aksesueshmëria janë më të rëndësishme se kurrë.