Minatorët e Spaçit vijojnë protestën nën shi e mjegull, asnjë përgjigje nga kompania
Një nga kërkesat kryesore të minatorëve është njohja e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimi i një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në punë.
Minatorët e Spaçit vijojnë të protestojnë sot për të 13-tën ditë. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të shiut, punëtorët janë grumbulluar që prej orës 06:00 të mëngjesit, duke kërkuar zgjidhje për kërkesat e tyre.
Ata mbeten të vendosur për të mos ndalur protestën derisa të marrin një përgjigje konkrete nga drejtuesit e kompanisë.
Edhe pse sot minatorët janë në ditën e 13-të të protestës, asnjë përfaqësues i firmës nuk është paraqitur në vendin e protestës. Punëtorët nuk kanë mundur të kenë asnjë bisedë me përfaqësues të firmës apo një sqarime mbi situatën.
Sipas kontratës kolektive, minatorët kërkojnë kushte më të mira pune, pagesa të prapambetura dhe garantimin e të drejtave të tyre.
Gjatë protestës ata e kanë cilësuar situatën si të rëndë dhe kanë deklaruar se do të qëndrojnë në protestë për sa kohë kërkesat nuk merren seriozisht nga kompania.