“Siguria nuk negociohet”! Proda në terren për masat e sezonit turistik 2025: Nuk do të tolerohet asnjë shkelje
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka njoftuar masa të rëndësishme për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik.
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, inspektoi nga afër zbatimin e masave të posaçme për sezonin turistik në Sarandë.
I shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Saimir Boshnjaku, Drejtori i DVP Vlorë Elidon Çela dhe Drejtori i Kufirit Vlorë Blendi Jaho, Drejtori Proda zhvilloi një takim me forcat policore të angazhuara në terren, të cilët i falënderoi për përkushtimin dhe u dha porosi të qarta:
✅ “Siguria është pasaporta jonë” për qytetarët, vizitorët dhe turistët, ndaj kërkohet më shumë angazhim, profesionalizëm dhe kujdes për çdo pushues e turist, me qëllim që këtë sezon të kemi parametra sigurie akoma më të larta se më parë.
✅ Plazhet dhe perimetri i sigurisë të jenë nën monitorim të vazhdueshëm, përmes dronëve, patrullave me biçikleta përgjatë vijës bregdetare, njësisë policore detare dhe Policisë Kufitare. Asnjë tolerim ndaj atyre që cënojnë perimetrin e sigurisë për pushuesit.
✅ Kontrolle rigoroze ndaj mjeteve lundruese, për dokumentacionin, kapacitetin dhe masat e sigurisë (jelekët e shpëtimit).
✅ Zero tolerancë për zaptimin e hapësirave publike. Çdo rast të referohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Të intensifikohen veprimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, në bashkëpunim edhe me policitë bashkiake në zonat bregdetare.
✅ Parandalimi i ndotjes akustike kërkon reagim të menjëhershëm ndaj shqetësimeve të qytetarëve, jo vetëm në zonat bregdetare, por në të gjithë vendin.
✅ Policia Kufitare të marrë masa për shtimin e sporteleve në raste fluksi, me qëllim shmangien e radhëve dhe garantimin e kontrollit efektiv për parandalimin e krimeve ndërkufitare.
✅ Siguria rrugore është prioritet. Përdorimi i teknologjisë inteligjente dhe bashkërendimi me shërbimet e tjera policore të mundësojë rritjen e parametrave të sigurisë në akset rrugore dhe qendrat e banimit.
✅ Punonjësit e Policisë janë pika e parë e kontaktit me vizitorët dhe turistët, ndaj duhet të jenë model në sjellje, komunikim dhe shërbim, për të përçuar besim dhe imazh pozitiv te qytetarët dhe vizitorët.
Në vijim, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Saimir Boshnjaku dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Elidon Çela e njohën Drejtor Prodën me zbatimin e masave në terren.
Policia e Shtetit është në shërbim të sigurisë së çdo qytetari, vizitori dhe turisti. Bashkë për një sezon të qetë, të sigurt dhe të paharrueshëm!