SPAK goditi organizatën më të fuqishme në Evropë, zbardhen detaje të tjera! Sekuestro 14 pronave, 10 të arrestuar e 6 në kërkim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur sërish organizatën kriminal të Franc Çopjas në Elbasan, në lidhje me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës.
Ky grup kriminal, sipas njoftimit zyrtar të SPAK, është me bazë në Elbasan dhe ka trafikuar në Evropë 28 ton kokainë në 2 episode të ndryshme, nga të cilat 17 ton u sekuestruan. Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, lëshoi 16 urdhër-arreste në total pas operacionit në qytetet Elbasan, Lushnje, Durrës, Tiranë. Nga 16 masa sigurie, 14 masa janë “arrest në burg” dhe 2 “detyrim paraqitje”.
Në Shqipëri janë arrestuar 7 persona; Ervis Çela dhe vëllai i tij Ardian Çela, Petrit Lakatos, Renato Musa, Gert Çerma, Mariglen Kamami dhe Elidon Çela. Ndërsa në Belgjikë është arrestuar Franc Çopja alias Franc Gegeli. Kurse me masën detyrim paraqitje në vendin tonë janë Ditjon Pepa nga Elbasani dhe Kujtim Gjyla nga Lushnja. Mësohet se dy të arrestuarit që janë lënë me masën detyrim paraqitje, janë shoferët që kanë transportuar paratë për t’i sjellë në Shqipëri.
Në kërkim janë Fadil alias Julian Balla, Miklovan Mullai, Denis Daja, Vilson Pepa dhe Riza Çela. Gjatë aksionit të ditës së sotme për të finalizuar urdhër-arrestet, gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të tjera janë sekuestruar edhe shuma parash, mbi 111.800 euro cash, 4 mijë dollarë dhe 880 mijë lekë.
Si funksiononte organizata dhe trafiku i drogës?
Sipas SPAK, drejtues i organizatës ishte Ervis Çela dhe së bashku me vëllain e tij Ardianin siguronin kokainën direkt nga prodhuesit. Droga magazinohej dhe bëhej gati për transport në Paraguai. Vetë Ardian Çela qëndronte në Paraguai.
Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi, të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Mes pasurive të sekuestruara janë edhe resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare
Po kështu është sekuestruar vila 2-katëshe ELYSIAN në Dhërmi me vlerë 1 milion euro, një tjetër vilë e porositur në Tiranë më datë 6 nëntor 2024, por që nuk bëhet me dije se ku konkretisht.