U gatoi kërpudhat vdekjeprurëse, gruaja shpallet fajtore për vrasjen e familjarëve të ish-burrit: Nuk i duroj dot

Aktualitet

U gatoi kërpudhat vdekjeprurëse, gruaja shpallet fajtore për

Një grua australiane, Erin Patterson, është shpallur fajtore për vrasjen e tre anëtarëve të familjes së ish-bashkëshortit të saj dhe për tentativë vrasjeje ndaj një të katërti, pas një dreke që ajo përgatiti në korrik të vitit 2023.

Dreka ishte një version i pjatës klasike britanike të quajtur ‘Beef Wellington’, mish viçi i mbështjellë me kërpudha të grira dhe petë brumi. Por në vend të kërpudhave të zakonshme, Patterson kishte përdorur kërpudha vdekjeprurëse që përmbajnë toksina fatale për mëlçinë.

Më 29 korrik 2023, Patterson ftoi në shtëpinë e saj katër familjarë të ish-bashkëshortit, ish-vjehrrit Don dhe Gail Patterson, motrën e Gail, Heather Wilkinson dhe bashkëshortin e saj Ian. Brenda pak orësh nga dreka, të katërt u ndjenë keq me simptoma të rënda helmimi. Brenda disa ditësh, tre prej tyre ndërruan jetë. Vetëm Ian mbijetoi pas një trajtimi intensiv që zgjati gati dy muaj.

Hetimet zbuluan se kërpudhat e përdorura nga Patterson nuk ishin të blera në dyqan, por të mbledhura nga natyra, nga një zonë ku njiheshin për praninë e llojit ‘Amanita phalloides’, kërpudha ndër më toksiket në botë. Prokuroria pretendon se ajo i kishte tharë kërpudhat helmues në një pajisje, të cilën e hodhi fshehurazi në një pikë riciklimi, në përpjekje për të fshirë gjurmët.

Patterson pretendoi se gjithçka ishte një aksident, por gjatë gjyqit doli në pah një tablo më komplekse. Prokuroria e akuzoi për katër veprime të qëllimshme: që nga mashtrimi për të ftuar familjarët në drekë, helmimi i vaktit, shtirja sikur ishte edhe vetë e sëmurë, e deri te fshirja e gjurmëve.

Mesazhe të zbuluara nga “Facebook” treguan për tensione të mëparshme me ish-vjehrrit. Në një prej tyre, ajo shkruante: “Jam lodhur nga kjo familje, nuk dua të kem më asgjë me ta”.

Pas një procesi 10-javor dhe rreth gjashtë ditësh diskutime, juria prej 12 vetash vendosi njëzëri se Erin Patterson ishte fajtore për vrasje me dashje. Ajo do të dënohet në një seancë të radhës, ndërkohë që rasti ka tronditur opinionin publik në Australi dhe më gjerë, duke nxitur diskutime për sigurinë ushqimore, krimet familjare dhe përdorimin e kërpudhave të egra.

 

ME TE LEXUARAT