Zhdukja e Jani Prengës, dy prokurorët e SPAK përplasen në Apelin e GJKKO me njëri-tjetrin, për pretencën ndaj kopshtarit të 'Golden'!
Dy prokurorët e SPAK, Behar Dibra dhe Elida Kaçkini, kanë mbajtur qëndrim të ndryshëm në seancën në Apelin e GJKKO-së për Festim Bixhdilin, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prenges, më 17 janar 2020 në aksin Kamëz-Shijak, ku u torturua për vdekje në kompleksin ‘Golden” sipas pamjeve të kamerave dhe më pas trupi u zhduk pa gjurmë.
Prokurorja Kaçkini kërkoi të mbetet në fuqi burgimi i përjetshëm, ndërsa prokurori tjetër Behar Dibra kërkoi dënimin me 20 vite burg. Kaçkini këmbënguli në qëndrimin e saj me argumentin se Bizhdili ka qenë pjesë e grupit të strukturuar kriminal dhe ka njohje me personat e tjerë të akuzuar për ngjarjen, kjo sipas saj e vërtetuar edhe nga komunikimet SKY ECC.
Ndërsa prokurori Dibra tha se ai është gjetur në atë situatë pasi është punonjës i kompleksit dhe është urdhëruar për fshehjen e kufomës. Gjykata u tërhoq për vendim dhe do ta shpallë atë në 25 korrik, për shkak të kompleksitetit që ka dosja.
“Ne vlersojmë që vendimi i GJKKO që është dhënë për Festim Bexhdilin duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhë prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar, sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi “Golden” ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre. I pandehuri ditën e ngjarjes ka pasur nje vendndodhje të ndryshme nga kompleksi, deri te paktën në orën 10:57, ku ka qenë në drejtim të Shijakut. Ai është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim te një garazhi dhe më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular.
Ai shfaqet duke pritur në derën hyrse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit. Kjo mënyrë ndërveprimi, tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre. Altin Hajri shfaqet në 11.27, ndërsa në 11:36 vjen mjeti i autorëve. Veprimet e kryera tregojnë bindshëm që Festim Bexhdili ka pasur dijeni për ngjarjen. Në tërësinë e provave, ne vlërësojmë se i pandehuri ka pasur rol aktiv në ngjarje, ndaj vlerësojme se vendimi me burgim të përjetshëm është proporcional. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve. Ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues”.
Nga ana tjetër prokurori Behar Dibra kërkoi rikualifikim të veprës penale nga “rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit” etj. Dibra tha se nuk ka prova në kuadër te bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal, që të jetë kryer nga Bexhdili. Si përfundim, kërkoi dënimin e Festim Bexhdilit me 20 vite burg.
Behar Dibra: “Në respekt të koleges, duke qenë dakord për parashtrimet që bëri, kam një vlërësim ndryshe për elementet e fajsisë së të pandehurit. Fakti është që vepra penale “mbajtja peng e Jan Prengës” është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli të një të pandehuri që është në një procedim tjetër. Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve e tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks. Nuk ka asnjë provë që Festim Bexhdili njihte Aldo Majnishtën, Korado Geshtenjën, Dritan Rexhepin etj…
Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirte Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër. Në automjetin që u fut trupi, hipin Altin Hajri, Geraldo Martini, Aldo Majnishta e të tjerë dhe më pas automjeti rikthehet sërish në kompleks pa trupin e Jan Prengës. Trupi tashmë ishte fshehur. Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbasë nuk e di”.
I pandehuri Festim Bexhdili u shpreh dakord me ato që kishte deklaruar dhe me faktin se ai kishte vepruar nga frika në ato çaste:“Jam dakord më çfarë kam thënë në shkallë të parë, nuk jam dakord as me pengmarrjen, as me vrasjen. Kam qenë aty nga frika kam marrë trupin. Kushdo të ishte ashtu do bënte dhe prokuroria. Jam hallexhi, isha në punë, u gjenda aty. Ishalla bëhet drejtësi”.
Ilir Murati, avokati Bexhdilit vuri në dukje se Gjykata e Lartë e kishte prishur vendimin e parë të Apelit.
“Gjykata e Lartë e prishi këtë vendim. Prokuroria ka qendrim të dyzuar. Prokuroria thotë ai ka patur telefon, po nuk e kemi hapur dot, kishte Enchro, po s’gjetën gjë. Zoti gjyqtar, duhen prova. E vërteta e Festimit është që u ndodh në atë ambient dhe bëri ato veprime. Përkrahu autorët, nuk kallëzoi krimin…. Së fundmi, dënimi i Festim Bexhdilit ka bërë jehonë dhe për vetë ata aty”, tha ai.
Gjykata e Apelit të Posaçëm, për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, shtyu shpalljen e vendimit në datë 25 korrik, ora 11.00. Gjykata e Lartë e prishi vendimin e dy shkallëve të para dhe riktheu çështjen për rigjykim në Apel, ku tashmë prokurorët janë shfaqur të dyzyar, ku njëri kërkon të njëjtin dënim dhe tjetri dy dekada burg./shqiptarja