Iu ofronte punë të pastrehëve më pas i vriste dhe i digjte në shtëpinë e tij, arrestohet 37-vjeçari në Argjentinë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në provincën veriperëndimore të Jujuy në Argjentinë, ku një 37-vjeçar është arrestuar me akuzën e vrasjeve seriale ndaj personave të pastrehë dhe të moshuar.
Sipas autoriteteve, i dyshuari i mashtronte viktimat duke iu ofruar punë dhe strehim, por më pas i fuste në shtëpinë e tij ku i ekzekutonte në mënyrë barbare, i copëtonte dhe i digjte për të zhdukur gjurmët.
Hetimi nisi pas zhdukjes së disa personave dhe shqetësimeve të komunitetit lokal. Policia sekuestroi pamje sigurie të dyshimta dhe ushtroi kontroll në banesën e të arrestuarit, ku gjeti prova tronditëse: kocka, gjurmë gjaku, copa lëkure dhe madje edhe një pjesë hunde që i përkiste një njeriu.
Një rol kyç në hetim luajti nipi i autorit, një adoleshent 16-vjeçar, i cili ndodhej në shtëpi në momentin e kontrollit dhe ofroi dëshmi rrëqethëse për skemat e krimit. Sipas dëshmisë së tij, xhaxhai kishte si objektiv persona të pambrojtur, të cilët i joshte me premtime për punë, por më pas i vriste pa mëshirë.
Prokuroria ka nisur krahasimin e ADN-së së mbetjeve të gjetura me mostra të familjarëve të personave të zhdukur në zonë. Deri tani dyshohet për të paktën pesë viktima, por autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri të jetë edhe më i lartë.
I dyshuari ndodhet tashmë në paraburgim, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për vrasje të shumëfishtë me paramendim, shqetësim të kufomave dhe shkatërrim të provave.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në mbarë Argjentinën, ndërsa autoritetet po bëjnë thirrje për zbardhjen e plotë të këtij rasti makabër që ka tronditur vendin.