Në krye të detyrës, kryebashkiakja meksikane u paralajmëron luftë karteleve kriminale
Kryebashkiakja e re e Cuauhtémoc në kryeqytetin Mexico City, Sandra Cuevas ka thënë sot se do të ketë një fushatë të ashpër kundër krimit të organizuar me qëllim ta bëjë rajonin e saj më të sigurtin në qytet. Ajo paralajmëronte gjithashtu kartelet e drogës se kohës së tyre po i vjen fundi në Mexico City.
Biznesmenia 35-vjeçare, gjithashtu aktiviste sociale ka parashtruar planet e saj për të çliruar Cuauhtémoc nga kapja e gangsterëve brenda 18 muajsh. Duke folur në Kongresin e qytetit, zonjusha Cuevas përmendi vendosmërinë e saj për të larguar nga zona aktivitetin e kartelit brutal të drogave ‘Jalisco Nueva Generacion’ apo bandave të tjera si CJNG dhe La Unión de Tepito.
“Ne do të konfrontohemi me krimin e organizuar, në mënyrë që ai të largohet nga Cuauhtémoc.” Sipas Milenio.com, Cuevas insistonte se politikat e saj të ashpra kanë mbështetjen e qeverisë qendrore. “Edhe nëse do të ketë mijëra kërcënime, objektivi i garantimit të sigurisë në Cuauhtémoc do të realizohet,” tha Cuevas.
Si pjesë e luftës së saj Cuevas prezantoi planet e kullave të reja të kontrollit të kamerave të sigurisë, për mbrojtjen e rreth 550,000 banorëve të zonës dhe rreth 6 milionë vizitorëve të përditshëm. Ajo shtoi se kartelet e drogës që do të goditen janë La Unión, Anti-Unión, La Ronda 88 dhe grupi i militarizuar CJNG./TCH