“Nga 1 gushti, tarifa të reja doganore prej 35% për Kanadanë”/ Trump i dërgon sot një letër BE-së
Donald Trump ka njoftuar se nga data 1 gusht administrata amerikane do të vendosë tarifa tregtare prej 35% për produktet nga Kanadaja. Në një mesazh të publikuar në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan ka bashkangjitur edhe një letër drejtuar kryeministrit kanadez, Mark Carney, e ngjashme me ato që janë dërguar ditët e fundit edhe te liderët e vendeve të tjera.
“Në vend që të bashkëpunojë, Kanadaja është hakmarrë me tarifat e saj. Nëse Ottawa do të bashkëpunojë me mua për të ndalur trafikun e fentanilit, mund të shqyrtoj një rregullim”, thuhet në dokument. Si në të gjitha letrat e dërguara që prej së hënës së 7 korrikut, këto tarifa do t’i shtohen atyre tashmë të vendosura në sektorë të veçantë, si çeliku, alumini apo makinat.
Ende nuk është e qartë nëse tarifat e reja do të zbatohen për të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze apo vetëm për një pjesë të tyre, për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë taksa. “Gjatë negociatave aktuale tregtare me Shtetet e Bashkuara, qeveria kanadeze ka mbrojtur me vendosmëri punëtorët dhe bizneset tona”, deklaroi kryeministri Mark Carney në një postim në X. “Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë ndërsa punojmë drejt afatit të rishikuar të 1 gushtit”.
Letra për BE-në
Trump ka deklaruar në një intervistë për NBC edhe synimin për të vendosur tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% për shumicën e partnerëve tregtarë. “Do të themi thjesht që të gjitha vendet e mbetura, ato që nuk kanë marrë letrën për tarifat, do të paguajnë, qoftë 15% apo 20%». “Për Brukselin, letra do të dërgohet “sot ose nesër.
«”Do të doja ta bëja sot”, ka thënë presidenti amerikan. “Po flas me BE-në, duhet t’ia dërgojmë gjatë orëve në vijim”.
Ndërkohë, rreth njëzet vende kanë marrë tashmë një letër të ngjashme që nga fillimi i javës më 7 korrik, me një tarifë 25% të aplikuar për produktet që vijnë nga aleatë si Japonia dhe Koreja e Jugut, dhe deri në 40% për disa vende të Azisë Juglindore.