Vrasja e aktivitistit/ J.D. Vance bëhet pasuesi i Charlie Kirk Show

Bota

Vrasja e aktivitistit/ J.D. Vance bëhet pasuesi i Charlie Kirk Show

SHBA, pas vrasjes së Charlie Kirk: J.D. Vance merr stafetën politike dhe paralajmëron kurs më të ashpër.

Vrasja e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk, 31 vjeç, në një atentat më 10 shtator në një kampus universitar në Utah, po trondit skenën politike në SHBA.

Sipas La Repubblica, zëvendëspresidenti J.D. Vance ka dalë në skenë si “trashëgimtar” i ndikimit të Kirk, duke drejtuar nga Shtëpia e Bardhë episodin e parë të Charlie Kirk Show, podcast-i që e kishte kthyer të riun në yll për miliona të rinj amerikanë. Vance theksoi “miqësinë e madhe” me viktimën dhe “afërsinë e ideve”, duke i inkurajuar të rinjtë ta shohin atë si pasues në zgjedhje.

Në këtë transmetim, Vance përdori mikrofonin për të prezantuar planin e administratës për të “çmontuar rrjetet e dhunshme”, një linjë e fortë që, sipas tij dhe këshilltarit të Donald Trump, Stephen Miller, i ftuari i parë i emisionit, është një tribut ndaj trashëgimisë së Kirk. Miller premtoi se agjencitë federale do të përdorin “të gjitha burimet” për të identifikuar e shkatërruar grupet e dhunshme, ndërsa sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi revokimin e vizave për ata që lavdërojnë atentatin.

Hetimet mbi sulmin vazhdojnë. Autori i dyshuar, Tyler Robinson, 22 vjeç, është arrestuar dhe pritet të akuzohet zyrtarisht për vrasje të rënduar, një krim që në Utah mund të dënohet edhe me vdekje. Guvernatori Spencer Cox deklaroi se Robinson kishte zhvilluar “ide të majta” duke u larguar nga familja e tij republikane dhe mormone, por pa dhënë prova konkrete. Lidhja e tij e supozuar me një person transgjinor, Lance Twiggs, nuk shihet si motiv i mjaftueshëm, edhe pse disa media konservatore, përfshirë Fox News, kanë nxjerrë dëshmi mbi qëndrime armiqësore ndaj të krishterëve.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, është urdhëruar të kërkojë me çdo kusht një pistë politike të majtë. Por, siç raporton La Repubblica, shënimi i gjetur pranë Robinsonit ishte zhgënjyes.

“Kam mundësinë ta eliminoj Charlie Kirk dhe do ta shfrytëzoj,” shkruante ai.

Hetuesit thonë se Robinson kishte zhvilluar një obsesion ndaj Kirk. ADN-ja e tij u gjet mbi armën dhe mjete të tjera të përdorura në sulm. Referencat ndaj “fashistëve” dhe këngës “Bella ciao” të gdhendura mbi fishekë lidhen më shumë me lojëra video dhe një version dance të këngës, sesa me bindje ideologjike.

Dy orë para arrestimit, Robinson dyshohet se i ka rrëfyer një grupi miqsh në Discord se ishte ai autori.

“Kam lajme të këqija për ju. Isha unë dje. Më vjen keq për gjithçka,” dyshohet të jetë shprehur.

Ndërsa funerali i Kirk pritet të mbahet këtë të diel në një stadium futbolli në Arizona, autoritetet federale vazhdojnë të kërkojnë provën që mund të lidhë atentatin me të majtën politike, një element që deri tani mungon.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT