Gjyqtarja Ulliri kërkon dorëheqjen, GJKKO shtyn seancën për dosjen “Partizani”
Shtyhet seanca gjyqësore për dosjen Partizani në GJKKO.
Në seancë nuk u paraqit Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi (arsye shëndetësore), ndërsa shoqëria “Homeplan shpk” nuk pati përfaqësues ligjor.
GJKKO ka shtyrë për në datën 7 korrik seancën në ngarkim të Jamarbër Malltezit i cili ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”. Seanca është shtyrë pasi ende nuk ka një vendimmarrje, mbi kërkesën e gjyqtares Elsa Ulliri për t’u dorëhequr nga gjyqi për dosjen Partizani.
Gjithashtu Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 21 korrik seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha për shkak se mungonte prokurori Arben Kraja.
Kujtojmë që gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri. Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
Seanca e parë gjyqësore po mbahet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamambër Malltezit, Xhimi Begesë, Fatmir Bektashi, Andia Pushtina dhe shoqërive Homeplan shpk dhe Kontakt shpk.
Malltezi foli jashtë gjykatës për mediat ku e cilësoi gjithë procesin si një “gjueti shtrigash”. Ai u shpreh se do të përballen me çështjen, ndonëse sipas tij është çështje pa fakt penal, ku shton se nisi me kallëzim të rremë nga Taulant Balla.
“Është gjueti shtrigash, gënjyen se toka ishte shpronësuar doli që është e pronarëve, është një çështje qesharake. E bukura është se i paska bërë Edi Rama, është bërë si Voldemortin, por ne do të përballemi me Voldemortin. Edi Rama duhet të jetë, SPAK nuk guxon as ta thërrasë. Nuk guxon t’i shënojë emrin, ka shkuar deri në mashtrim, e konsiderojnë Edi Ramën Voldemortin”, tha Malltezi para gazetarëve.
Kurse ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitet në seancën e parë në GJKKO, ku i pranishëm ishte vetëm avokati i tij, Genc Gjokutaj.
Çfarë ndodhi brenda seancës në GJKKO?
Gjyqtarja Ulliri po bën relatimin e akuzave të të pandehurve.
Fletëthirrja për Berishën është marrë dhe firmosur nga Malltezi.
Elsa Ulliri: Zoti Malltezi e keni njoftuar të pandehurin Berisha në lidhje me seancën e sotme?
Jamarbër Malltezi: Nuk e kam njoftuar.
Në një shkresë policia bëri me dije se ia ka dorëzuar fletëthirrjen zotit Berisha dhe se ai është në dijeni për seancën e sotme.
Në seancë mungon i akuzuari Fatmir Bektashi për arsye shëndetësore.
Andia Pustina nuk është e pranishme në sallën e gjyqit dhe kërkon të përfaqësohet nga avokati i saj Klodian Skënderi.
Nga ana tjetër, njëri nga avokatët e ish kryeministrit Berisha, Klodiana Gjyzari deklaroi: Koha ka qenë e shkurtër dhe ne nuk kemi dijeni nëse zoti Berisha është njoftuar për seancën e sotme.
Ish kryeministri Sali Berisha ndodhet nën masën detyrim paraqitje, kurse dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi në arrest shtëpie.
Akuzat nga SPAK
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
I pandehur për të njëjtën vepër penale në këtë çështje është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Të akuzuarit për korrupsion dhe pastrim parash, do të gjykohen nga trupa me kryesuese Elsa Ullirin dhe anëtarë Bib Ndrecën e Rudina Palloin. Asnjë prej tyre nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka pritet ta zgjasë procesin.
Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Sali Berisha, po ashtu edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, kanë hedhur akuza se çështja gjyqësore ndaj tyre ka nisur me urdhër politik dhe është e pabazuar në prova, teksa pretendojnë dhe për falsifikim të dokomunteve.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Aktualisht Sali Berisha ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, teksa më herët qëndroi për rreth një vit në “arrest shtëpie”. Ndërkohë, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është në “arrest shtëpie”, teksa fillimisht u arrestua nga SPAK, por më pas u lirua nga Apeli i GJKKO.