Prezantohet projekti, te Sarajet e Toptanëve, Muze i Artit dhe Trashëgimisë Islame në Tiranë! Rama: I nevojshëm
Në Sarajet e Toptanëve në Tiranë u zhvillua konferenca ndërkombëtare ku u prezantua projekti për Muzeun e Artit dhe Trashëgimisë Islame në Tiranë.
Muzeu do të bëhet pikërisht te Sarajet e Toptanëve, një hapësirë që do të transformohet në funksion të këtij projekti.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili sapo ishte kthyer nga Brukseli.
Rama u shpreh se Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame do të jetë një vlerë e shtuar për kryeqytetin.
“Ky muze është i nevojshëm dhe mjaftueshëm për ta përcjellë këtë dëshmi që përndryshe për shumëkënd është një dëshmi e munguar dhe madje edhe e pamundur sepse në mendjen edhe idenë e shumëkujt kultura dhe arti islam nuk kanë lidhje me Europën dhe madje këtë pasuri kaq të çmuar të kulturës e traditës tonë shumëkush e sheh si trashëgimi të imponuar nga një periudhë e caktuar e historisë.
E vërteta është krejt ndryshe dhe dëshmia e kësaj të vërtete është një nevojë, domosdoshmëri dhe është një vlerë e shtuar për kryeqytetin. Ky muze i shtohet një gjerdani që po shkon duke u zgjatur dhe pasuruar me Teatrin e ri Kombëtar, Galerinë Kombëtare, Muzeun Besa që është fare ngjitur.
Ajo që është e rëndësishme është se ky është një stacion kyç i historisë tonë si komb. Talenti i padiskutueshëm i arkitektit është një garanci dhe më vjen shumë mirë që paralelisht Hernandezi po punon edhe për një tjetër muze në Shkodër që praktikisht i dedikohet martirizimit të klerit katolik.
Dhe kështu plotësojmë dhe një mozaik të munguar të historisë së fesë në Shqipëri që do të ketë vendin e vetë edhe në muzën e ri kombëtar”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri theksoi që shpreson se ky projekt të jetë i përfunduar deri në vitin 2030.
Projekti u prezantua nga arkitekti spanjoll Jesus Hernandez, i cili në fjalën e tij tha se godina e Sarajeve të Toptanëve do të ruajë karakterin historik dhe ndërhyrjet që do të bëhen do të jenë minimale.
Në këtë muze do të ekspozohet një koleksion objektesh dhe librash me vlera të rralla. Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame synon të krijojë një hapësirë jo vetëm për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë, por edhe për dialog ndërfetar.