Erdogan i shpall “luftë” Netanyahut për Jeruzalemin: Nuk do e lëmë në duart e të pafeve
Rexhep Tajip Erdogan iu përgjigj Benjamin Netanyahut dhe deklaratave të tij mbi Jerusalemin të mërkurën pasdite.
Presidenti turk u zotua se myslimanët nuk do të heqin dorë kurrë nga të drejtat e tyre për Jerusalemin Lindor dhe premtoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë palestinezët mes sulmeve izraelite.
“Ne nuk do të lejojmë që Jerusalemi të përdhoset nga duar të pafe, megjithëse e di që hidhërimi i admiruesve të Hitlerit mund të mos zbehet kurrë.
Lufta e Turqisë që Jerusalemi të bëhet një qytet paqeje, sigurie dhe harmonie vazhdon pa ndërprerje apo tërheqje”, tha Erdogan në ceremoninë e hapjes së ndërtesës së re të Ministrisë së Jashtme të Turqisë në Ankara.
Ai riafirmoi angazhimin e Ankarasë për një shtet palestinez të pavarur dhe sovran bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Duke kritikuar Benjamin Netanyahun , Erdogan e quajti Jerusalemin një qendër shpirtërore që është e çmuar për të gjithë myslimanët.
“Askush nuk mund të na ndalojë të mbështesim popullin e shtypur të Gazës që po lufton për të mbijetuar nën sulmet e ashpra të Izraelit”, tha ai.
Erdogan premtoi se Turqia do të mbetet e palëkundur sot dhe nesër kundër atyre që përpiqen ta shndërrojnë rajonin tonë në një det gjaku dhe atyre që shkaktojnë paqëndrueshmëri në gjeografinë tonë.