Mesila Doda doli e pavarur, ‘shpërthen’ demokrati: PD i dha besim të pamerituar në listën e sigurt

Politikë

Mesila Doda doli e pavarur, ‘shpërthen’ demokrati: PD i dha

Deputetja Mesila Doda e PDIU-së, e cila ishte në listën e sigurt të Partisë Demokratike, doli si deputete e pavarur, duke mos u përfshirë në asnjë grup parlamentar të opozitës.

Për këtë vendim të saj kanë nisur edhe reagimet e para nga radhët e demokratëve. 

Hysen Kadiu, kryetar i degës së PD në Kavajë, thotë se i dhanë Mesila Dodës besim të pamerituar duke e vendosur në listën e sigurt, e që nga ana tjetër privuan demokratët të cilët e meritonin.

“PD ka sot një deputet më pak nga ata që u zgjodhën më 11 maj. Mesila Doda ka vendosur të vetëshpallet deputete e pavarur edhe pse ishte në listën e sigurt të PD.

Nuk ka asnjë surprizë nga ky veprim. Ajo dhe Shpëtim Idrizi kanë bërë të njëjtin akt edhe në parlamentin e shkuar. Kanë votuar sipas interesit të tyre dhe të qeverisë dhe asnjëherë nuk janë rreshtuar në front me demokratët. Ndoshta po t’u jepet mundësia do e bëjnë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Sepse problemi nuk është Mesila, Shpëtimi apo modeli i tyre në politikë. Problemi qëndron tek besimi i pamerituar, tek vlerësimi dhe pozicionimi i tyre në lista të sigurta, duke privuar nga kjo e drejtë ata demokratë që e meritojnë dhe kanë luftuar për të përfaqësuar të vërtetën dhe jo hilet në parlament”, ka shkruar në Facebook, Hysen Kadiu.

ME TE LEXUARAT