“Më jep lekët ose të vras”, si u kërcënua organizatori i skemës mashtruese nga qytetari pasi i morën paratë

Aktualitet

“Më jep lekët ose të vras”, si u kërcënua

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet mbi skemën e mashtrimit me firmat piramidale.

Në dosjen hetimore tregohet sesi anëtari Marius Kodra u kërcënua nga personi që investoi plot 10 mijë dollarë në skemën piramidale. Sipas bisedave të zbardhura në aplikacionin “Telegram”, Marius Kodra komunikon me një person i quajtur Leo Smith nga Britania e Madhe dhe i tregon për kërcënimet.

28-vjeçari ishte bindur nga personi që investoi në skemën piramidale dhe më pas i kishte dhënë siguri që do të kishte fitime. Në biseda Marius Kodra i shkruan Leo Smith se po e kërcënojnë duke i thënë “ose ti jep lekët, ose do të të vras”. Në shumicën e bisedave Leo Smith mundohet ta qetësoj Marius Kodrën dhe e pyet për detaje.

Marius Kodra: Mirëdita profesor! Kemi ndonjë lajm të ri për vonesat e tërheqjeve sepse po krijohet një kaos nëpër grupe. Profesor, më duhet ndihma jote. Një anëtar i ri iu shtua ekipit tim më së fundmi me 10 mijë dollarë. Ka bërë tërheqje dje dhe më kërcënon me jetën time nëse nuk i kalojnë lekët sepse unë i kam dhënë siguri në EG grup.

Leo Smith: Mos u shqetëso, e kemi deklaruar këtë çështje në grupin EG23 sot. A po i kushton vëmendje?

Marius Kodra: Po, po i kushtoj vëmendje gjatë gjithë kohës. Por ka njerëz si ky që e kthen në personale me mua dhe mi kërkon mua lekët.

Leo Smith: Mos u shqetësoni për këtë problem, paratë e tyre nuk janë humbur ose zhdukur, ato janë ende në llogarinë e tyre, thjesht tërheqja nuk është marrë.

Marius Kodra: Të kuptoj shumë qartë, por shumica janë frikësuar dhe po më kërcënojnë mua.

Leo Smith: Me çfarë po të kërcënojnë?

Marius Kodra: Po më kërcënon: “Ose ti jep lekët, ose do të të vras!”

Leo Smith: A është ky anëtar i grupit tuaj?

Marius Kodra: Po, është shumë i agravuar. Edhe pse ia kam sqaruar problemin për momentin, më kërkon lekët mua.

Leo Smith: Kërkoji të presë me durim, nuk janë paratë që humbasin, është vetëm vonesa në pagesë.

Marius Kodra: Ia kam shpjeguar këtë situatë, është i pabindur, po më shkakton probleme me familjen.

Leo Smith: Pra, çfarë mendon se duhet të bëjmë? E tëra çfarë mund të bëjmë tani është të presim, vëlla.

Marius Kodra: Shpresoj të rregullohet situata sa më parë profesor. Të tjerët janë në rregull, por ky ka futur një shumë prej 10 mijë dollarë dhe më kërcënon me jetën time, edhe pse po ia shpjegoj shumë herë këtë situatë.

Leo Smith: Në rregull, besoj se mund ta kalojmë këtë krizë pa probleme, mos u shqetësoni.

Marius Kodra: Unë kam pasur besim dhe vazhdoj të kem besim te ti. Jam i bindur që rruga jonë do të vazhdoj drejt një suksesi shumë të madh.

ME TE LEXUARAT