Nuk i deklaroi në kufi, policia doganore e Kosovës i sekuestron reperit Mozzik dy orët me vlerë mbi 1.3 milion euro
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, i ka sekuestruar përkohësisht dy orë luksoze, një Richard Mille dhe një Rolex me vlerë mbi 1.3 milionë euro, një personi, i cili nuk i kishte deklaruar gjatë kalimit.
Në njoftimi zyrtar, Dogana e Kosovës nuk ka identifikuar personin në fjalë, por sipas mediave në Kosovë, bëhet fjalë për reperin Mozzik, i cili ka konfirmuar më herët se është shoqëruar nga policia doganore lidhur me prejardhjen e orëve të tij.
“Si rezultat i këtij kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Vlera totale e këtyre orëve është 1.340.027,50 € (një milion e treqind e dyzet mijë e njëzeteshtatë euro e pesëdhjetë cent)”, thuhet ne njoftim.
Rasti është derguar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, pasi shmangia nga obligimet doganore kalonte shumën prej 5 mijë eurosh.
Po ashtu, mësohet se Mozzik është marrë në pyetje më 17 shtator dhe është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa orët mbeten të konfiskuara deri në vendimin e Prokurorisë.
Reagimi i plotë i Doganës së Kosovës
Dogana e Kosovës njofton opinionin publik se pas publikimit të lajmeve në portale dhe rrjete sociale, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe kontrollin e një personi të dyshuar me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Si rezultat i këtij kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Vlera totale e këtyre orëve është 1.340.027,50 € (një milion e treqind e dyzet mijë e njëzeteshtatë euro e pesëdhjetë cent).
Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar.
Më 17 shtator 2025, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit dhe në zbatimin e detyrave për të parandaluar shmangiet nga obligimet doganore, kontrabandën dhe pasurinë e pajustifikuar.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se Mozzik është arrestuar nga policia doganore në Aeroportin e Prishtinës për orën e tij të dorës Richard Mille, e cila kap një vlerë mbi 1 milionë euro dhe se kishte një borxh për të paguar në Administratën Tatimore të Kosovës.
Mozzik ka mohuar të gjitha pretendimet për arrestim dhe borxh, duke i cilësuar ato si shpifje dhe informacione të pavërteta.
Ai sqaron se nuk ka pasur asnjë arrestim dhe se gjithçka ka qenë vetëm një procedurë e dhënies së deklaratës për hetimet lidhur me orën e dorës.
“Sapo dhashë deklaratë, në prezencë të avokatit tim Arianit Koci, lidhur me çështjen e mbrëmjes së kaluar për orën e dorës Richard Mille.
Mediat që kanë raportuar për një arrestim që nuk ka ndodhur, nuk kanë vepruar drejt. Po ashtu, raportimet për një kinse borxh ndaj ATK janë të pavërteta – vetëm rrena dhe shpifje”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.
Sapo dhashë deklaratë, në prezencë të avokatit tim Arianit Koci, lidhur me çështjen e mbrëmjes së kaluar për orën e dorës Richard Mille.
Mediat që kanë raportuar për një arrestim që nuk ka ndodhur, nuk kanë vepruar drejt. Po ashtu, raportimet për një kinse borxh ndaj ATK janë të pavërteta – vetëm rrena dhe shpifje.
Sulme të tilla i përballoj me qetësi, njësoj si gripin – dhe nuk kanë asnjë peshë më shumë.
Ju uroj suksese të gjithëve, dhe ishalla flini të qetë sonte. Ju dua edhe juve qe po shkruani keq! Sinqerisht Gramoz Aliu (Mozzik)