Rama e sulmoi publikisht, Shoqata e Gjyqtarëve i del në mbrojtje magjistratit Marko Boshku: Nuk do tolerojmë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagon pasi kryeministri Edi Rama denoncoi dje publikisht gjyqtarin Marko Boshku, të cilin kreu i qeverisë e denoncoi në lidhje me një vendim për rikthimin në detyrë të kreut të AMP-së Vlorë.
Shoqata thekson se “sërish kreu i ekzekutivit shqiptar, në një mënyrë tërësish të paprecedentë dhe të papranueshme, ka sulmuar një tjetër gjyqtar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, z. Marko Boshku”.
“Së pari, Shoqata i shpreh mbështetjen e plotë gjyqtarit Boshku, si një gjyqtar me integritet dhe model në punën e tij.
Së dyti, ajo nxit Këshillin e Lartë Gjyqësor që të marrë një pozicion më të qartë në mbrojtje të pushtetit gjyqësor në tërësi dhe gjyqtarëve të caktuar në veçanti.
Së treti, i bën thirrje të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë për të mbështetur pa rezerva sistemin e reformuar të drejtësisë, i cili është më së pari produkt i ndihmës së tyre të pakursyer, si dhe të bëjnë të mundur që zëri i tyre në këtë drejtim të dëgjohet nga ata që u ka humbur kjo shqisë në raport me aktorët e brendshëm.
Së katërti, i kujton përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv se çdo deklaratë denigruese në drejtim të gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe se, referuar nenit 145, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një veprim i tillë passjell përgjegjësi sipas ligjit”.
Më tej, “Shoqata u garanton të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë se ajo nuk do të tolerojë asnjë veprim, shfaqje apo koment fyes e poshtërues të kryer nga funksionarë të lartë shtetërorë, të kujtdo pushteti që ata t’i përkasin”.
Madje, Shoqata shtoi se “postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke vendosur dhe hapat që do të ndërmerren në çdo rast”.