Kujdes!/ Ja çfarë ju ndodh nëse konsumoni shumë domate
Edhe pse i konsumojmë gjatë gjithë vitit, në stinën e verës domatet arrijnë kulmin e tyre, më të lëngshme, më të ëmbla dhe më aromatike. Kjo është koha e artë për adhuruesit e tyre të zjarrtë, të cilët i hanë me kënaqësi çdo ditë, në sallata apo pjata të ndryshme. Megjithatë, ka edhe nga ata që nuk i pëlqejnë aspak, ndonëse janë të rrallë, janë kundërshtarë të vendosur të domates.
Përtej shijes, domatet janë një thesar ushqyes, ato përbëhen rreth 95% nga uji, çka i bën shumë të ulëta në kalori, vetëm 21 kalori për 100 gramë. Por përmbajtja e tyre ushqyese është mbresëlënëse, janë të pasura me vitamina C, A, E dhe B, si dhe me kalium.
Ngjyra e kuqe karakteristike e domateve vjen nga likopeni, një pigment bimor me veti të fuqishme antioksiduese. Studimet tregojnë se likopeni mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të kancerit.
Anët pozitive të domates janë që:
-siguron sasi të mëdha lëndësh ushqyese.
-Jep ndjesi ngopjeje me pak kalori.
-Ndihmon në uljen e presionit të gjakut.
-Ngadalëson humbjen e masës muskulore që lidhet me moshën.
-Mund të ndihmojë në mbrojtjen e qelizave dhe reduktimin e rrezikut për disa lloje kanceri, falë likopenit.
Por, edhe domatet kanë anët e tyre më pak pozitive:
Konsumi i shpeshtë dhe i njëanshëm mund të çojë në mungesë të shumëllojshmërisë ushqimore, duke lënë jashtë lëndë të tjera të rëndësishme. Disa persona mund të përjetojnë shqetësime gastrointestinale nga konsumimi i tyre, veçanërisht ata me stomak të ndjeshëm. Njerëzit me intolerancë ndaj histaminës mund të përjetojnë simptoma të tilla si dhimbje barku, skuqje të lëkurës, marramendje, rrahje të shpejta të zemrës, gulçim apo probleme me qarkullimin e gjakut.
Çelësi është gjithmonë balanca dhe shumëllojshmëria në dietë. Nëse vini re ndonjë reagim pas konsumit të domateve, është mirë t’i konsumoni me kujdes, në sasi të kufizuara, ose t’i shmangni krejtësisht, nëse është e nevojshme.