Juventus fiton pastër ndaj Genoas, afrohet me zonën Champions

Juventus shfrytëzoi gabimet e rivalëve në garën për UEFA Champions League, duke mposhtur 2-0 Genoa në javën e 31-të të Serie A.
Bardhezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e 4-t me golin e Bremer pas një goditjeje këndi.
Presioni vazhdoi dhe në minutën e 17-të erdhi edhe goli i dytë, kur një aksion i shpejtë përfundoi me finalizimin e McKennie, pas asistit të Conceição.
Juventusi dominoi pjesën e parë dhe ishte pranë golit të tretë, ndërsa në të dytën vijoi të krijojë raste, me McKennie dhe David që iu afruan sërish rrjetës.
Nga ana tjetër, Genoa pati mundësinë më të mirë në minutën e 74-të, por penalltia e Martin u ndal nga portieri Di Gregorio, që ruajti rezultatin.
Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në kuotën e 57 pikëve, duke u afruar ndjeshëm me vendin e katërt, ndërsa Genoa mbetet në 33 pikë dhe larg objektivave europiane.


