Hapen 600 vende pune në administratën publike, mundësi punësimi për të rinjtë 21 – 29 vjeç
Nga dita e sotme deri më datë 10 gusht, të rinjtë nga mosha 21 – 29 vjeç kanë mundësinë për tu punësuar përkohësisht në administratën shtetërore pas hapjes së 600 vendeve të punës.
Të gjithë studentët e pajisur me diplomën universitare mund të aplikojnë në Programin e Praktikave të Punës në faqen online praktika.riniafemijet.gov.al.
Institucionet e pavarura, ministritë e njësitë vendore kanë shpallur vakancën për profilet e studimit, ekonomi, drejtësi, shkenca sociale, shkenca shoqërore, mjekësi e inxhinieri.
Të gjithë fituesit e praktikës do të kenë mundësinë të punësohen në shtet për një periudhë kohore 3 muaj deri 1 vit me të drejtë page. Gjatë praktikës, praktikanti përfiton edhe trajtim ushqimor në formën e kompensimit financiar si edhe trajnime pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.
Në përfundim të praktikës 3 mujore, deri në 250 aplikantë do të përzgjidhen nga institucionet përkatëse për tu punësuar me kontratë pune 1-vjeçare. Praktikantët e punësuar do të jenë në nivel specialisti, me page të kategorisë IV-3.