“Me 2 mijë euro nuk të arrestojmë”, SPAK dërgon në gjyq ish-shefin e Rrugores Roven Zeka dhe efektivët e tjerë
Tre efektivët akuzohen se kanë marrë ryshfet 2 mijë euro për të mos referuar në Prokurori dhe arrestuar gruan e një biznesmeni që kishte shkaktuar aksident në Tiranë.
Të pandehur në këtë dosje është marrë edhe biznesmeni Ergest Vrioni që dha paratë dhe një tjetër, që janë hetuar në gjendje të lirë.
- SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për ish-shefin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka dhe dy punonjësit e tjerë Sokol Novaku dhe Edison Tabaku, me akuzën se kanë marrë 2 mijë euro për të mos arrestuar një grua që kishte bërë një aksident më 16 prill.
Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe Ergest Vrionin dhe Bledi Belba, të cilët janë hetuar në gjendje të lirë si të përfshirë në këtë rast. Dosja me akuzat e korrupsionit pasiv dhe aktiv të funksionarëve do të gjykohen në seancë paraprake nga gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka.
Tre efektivët u arrestuan më 19 prill me urdhër të SPAK, me akuzën se kishin kërkuar dhe marrë 2 mijë euro nga nga biznesmeni Erges Vrioni për të mos i arrestuar bashkëshorten që ishte përfshirë në aksidentin e ndodhur më 16 prill dhe që çështja e saj të mos referohej në Prokurori.
Theksojmë se Roven Zeka u la në arrest shtëpie më 14 korrik pasi kërkoi masë më të butë sigurie për shkak së dëmtoi për legenin gjatë rrëzimit në paraburgim. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tij pasi marrjes së përgjigjes nga ekspertiza mjekësore lidhur me gjendjen e ish zyrtarit policor.
Sipas dosjes hetimore, duke qenë se Tabaku ((oficer i policisë gjyqësore) e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin. Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të policisë Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të policisë rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.
Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku ( (shef i sektorit të aksidenteve), ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen. SPAK thotë se ata i morën 2 mije euro nga bashkëshorti biznesmen i shoferes që kishte shkaktuar aksident me 5 të plagosur.