Pas Bashkive, “operacioni fshesa” prek dhe policinë! Rama paralajmërim dhe për krerët: Të gjithë duhet ta dinë se…
I pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e vendit në Durrës ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda.
Kreu i qeverisë tha se shkarkimi i drejtuesve të policisë së Shkodrës, që u njoftuan dje nga Proda, është një mesazh edhe për të drejtuesit e qarqeve të tjera. Rama tha se vija bregdetare e Shqipërisë është dëmtuar nga ndërtimet pa kriter.
“Meqë këtu kam edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Drejtor ajo që është bërë dje me shkarkimin e kreut të Shkodrës, dua ta ritheksoj që është shpresoj mesazh për të gjithë. Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë.
Nuk bëhet fjalë me një tavolinë me 4 karrige, por për 40 ndërtime pa leje. Policia ka treguar se kur do di të shkojë edhe në majën e një mali kur një fshatar bën një avlli pa leje. Poshtë në bregdet, ku ndërtohen resortet ku merret dheu nga kantierët dhe bëhet deti si lumi i Lanës nuk e shohin. Të gjithë drejtorët e qarqeve shefat e komisariateve duhet ta dinë, për çdo ndërtim në formën e një pallati kur aty ka paligjshmëri.
Nuk kemi ne 4 mijë km bregdet që të kemi luksin të na dëmtohet më shumë seç është ndërtuar. Të gjithë ndërtuesit duhet të kuptojnë se nëse angazhojmë ajkën e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri, edhe merren ekspertët me të gjitha detajet, ne nuk mund të lejojmë që më pas projektet në territor të bëhen sipas qejfit. Që në projekt është gur nga ai i zonës dhe ai e bën suva nga Turqia.”, tha Rama.