Plagosja në Sarandë, autorët me precedentë, njëri për “luftë” me policinë, tjetri…

Aktualitet

Plagosja në Sarandë, autorët me precedentë, njëri

Detaje të reja janë bërë të njohur lidhur me plagosjen me armë zjarri të dy të rinjve pasditen e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit. Të lënduar mbetën shtetasit Ernest Lama, 24-vjeç dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, ndërsa autorë të dyshuar sipas hetimeve paraprake, janë dy vëllezërit, Ramadan Zoto allias Ramadan Canaj dhe Erjon Canaj.

Burime bëjnë me dije se të dyshuarit kanë disa precedentë të veprave kriminale. Ramadan Zoto, në prill 2005 ka ekzekutuar në Athinë 51-vjeçarin Pushkin Kuspa, për arsye hakmarrje. Më 31 janar 2008 në tentativë për t’u kapur, shkëmbeu zjarr me policinë greke, por u arrestua në fund të shkurtit 2008. Rezulton edhe me precedentë edhe për grabitje me armë në Greqi.

Në sistemin e policisë greke rezulton i regjistruar me 7 emra, 6 atësi dhe 10 mbiemra. Pas daljes nga burgu, në maj 2019 u tentua të ndalohej nga policia greke në rrugën “Patisia” në Athinë teksa drejtonte një mjet “Smart”.

Ai u largua duke i dhënë gaz mjetit deri sa u përplas dhe u ndoq dhe u arrestua bashkë më një shqiptar tjetër. Policia i gjeti 1 pistoletë, 1 thikë dhe 5 gram kokainë. Mjeti, i cili mbante targa false, rezultoi i vjedhur në 11 tetor 2018 në Notia Proastia, Greqi nga lojtari i reality shoë “Survivor” në Greqi, Kosta Kokkinaki.

Në gusht 2023, rezulton i proceduar në gjendje të lirë në Sarandë për “prishje të qetësisë publike” pasi lokali i tij gjeneronte muzikë të lartë. Në qershor 2024 u arrestua për “goditje për shkak të detyrës” të një punonjësi të Bashkisë Sarandë, por u lirua nga Gjykata dhe aktualisht është në proces gjyqësor për këtë çështje.

Ndërsa Erjon Canaj, më 15 dhjetor 2022 ka dhunuar rojen e spitalit të Sarandës. Në shkurt 2024 është kapur në një banesë në Berdenesh, Sarandë me 2 pistoleta. Në fillim të këtij viti Gjykata e Sarandës e shpalli të pafajshëm për armët me pretendimin se ato u gjetën ne dollap dhe shtëpia ku u kap Canaj nuk ishte në emrin e tij.

ME TE LEXUARAT