Protestë kundër ndërtimit të HEC-it Doma mbi lumin e Lusës në Klos, banorët futen me forcë në bashki

Aktualitet

Protestë kundër ndërtimit të HEC-it Doma mbi lumin e

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Suç janë mbledhur para Bashkisë së Klosit, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e pushtetit vendor për pezullimin e punimeve. Fillimisht protesta u shoqërua me tensione, ku banorët kërkuan të takonin kryetaren e bashkisë, Valbona Kola, por u përballën me bllokimin e hyrjes nga Policia Bashkiake.

Por situata u përshkallëzua pasi banorët u futen forcërisht në ambientet e Bashkisë Klos, ku më pas është dashur edhe ndërhyrja e Policisë së Shtetit për të qetësuar situatën.

Pas insistimit të banorëve kryebashkiakja Valbona Kola bëri një takim me banorët e fshatrave të cilët kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it.

Kryetarja e Bashkisë Valbona Kola u shpreh se Bashkia Klos nuk ka mundësi ligjore për ta ndalur investimin, pasi është vënë para një fakti të kryer. Ajo u shpreh se përgjegjësia bie tek ish-administratës së djathtë që ka drejtuar bashkinë e Klosit deri në vitin 2019.

Administrata aktuale ka paraqitur një kontratë qiraje të firmosur në shtator të vitit 2018 nga ish-kryetari i bashkisë së Klosit Basir Çupa, i cili kishte firmosur lejen e dhënies me një afat 10-vjeçar të një sipërfaqeje pyjore në përdorim të kompanisë që po ndërton hidrocentralin.

Sipas dokumenteve të bëra publike, qiraja hyn në fuqi nga momenti i pajisjes së subjektit me leje ndërtimi, ndërsa mendimi pozitiv për heqjen nga fondi pyjor është dhënë në vitin 2019 nga Këshilli Bashkiak.

Banorët protestues i qëndruan vendimit për të mos lejuar ndërtimin e HEC-it, duke theksuar se projekti kërcënon burimet ujore për vaditje, si dhe do të sjellë dëme të parikuperueshme për ekosistemin dhe natyrën e zonës.

“Kemi kërkuar mbështetje nga IKMT e Dibrës, pasi kemi mungesë të punonjësve në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Ata sot janë në terren. Unë e di që Kurdaria është hambari i bujqësisë, ndaj jam në krahun tuaj. Punimet për HEC-in janë aktualisht të pezulluara nga kompania,” premtoi kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola para banorëve, sipas Tch.

Ndërtimi i HEC-it Doma në lumin e Lusës në njësinë administrative Suç të Klosit, ka sjellë përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”.

Projekti është pjesë e një skeme më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë lumë. Banorët pretendojnë se nuk janë përfshirë në asnjë proces dëgjese publike. Situata është përshkallëzuar javët e fundit, ku ka pasur përplasjet fizike ndërmjet banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë. Në qëndrime të mëparshme, kompania ndërtuese deklaron se gjurma e HEC-it ndodhet poshtë zonës së banuar dhe nuk prek drejtpërdrejt interesat e banorëve për vaditje.

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT