"S’do ketë më policë rije në rrugë", Rama: Qendra e Kontrollit të Trafikut mbështetet nga “Smart City”
Kryeministri Edi Rama, së bashku me zëvendëskryeministren, Belinda Balluku, ishin të pranishëm në Qendrën e Kontrollit të Trafikut, i cili shpjegohet se është inovacioni më i madh i infrastrukturës rrugore, ku bashkërendohen një sërë projektesh dhe skuadrash.
Balluku shpjegoi se Kontrolli i Trafikut do bashkëpunojë me Autoritetin Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, Emergjenca Civile dhe Emergjenca Mjekësore.
Të pranishëm ishin gjithashtu dhe Kryepolici Ilir Proda, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ministri i Mbrotjes Pirro Vengu dhe ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu. Nën prezencën e tyre u firmosën marrëveshjet e bashkëpunimit me Qendrën e Kontrollit të Trafikut.
Kryeministri Edi Rama tha se kjo qendër do mbështetet nga “Smart City”, projekt ky i cili monitoron me kamera inteligjente çdo parregullsi në çdo vend të Shqipërisë.
Kryesocialisti tha se do të marrin fund problematikat, e do mundësojë angazhimin në kohë real të forcave të posaçme sipas nevojës.
“Sot merr rrugë një kapitull i ri në historinë e administrimit të territorit dhe historinë e asistencës për qytetarët në të gjitha nivelet, rrugore, urgjencës mjekësore, civile dhe është një detyrim i madh që të bëjmë një reformë, ku të gjitha urgjenca, thirrjet, të jenë të unifikuara.
Gjithë kjo qendër moderne monitorimi do të mbështetet nga sistemi i qyteteve të zgjuar ose “Smart City” me rrjetin e kamerave inteligjence dhe me inteligjencë artificiale, që me kohë reale do mblidhet i gjithë informacioni për të gjitha natyrat e problematikave e më në fund të largohet e Policia nga pritat në rrugë, por ama të jetë e gatshme në çdo moment që me sinjalizimin e këtij inspektori virtual të vihet në lëvizje.”, tha Rama.
Kjo qendër monitorimi ka për detyrë të identifikojë çdo problem të ndodhur në terren, e përmes kamerave mund të identifikojë shkelësit e rregullores rrugore, targat e automjete, etj. Në këtë mënyrë, njësitë e Policisë Rrugore do njoftohen nga kjo sallë në rast se ka automjete që kanë tejkaluar shpejtësinë e lejuar.