Zjarri shkrumbon restorantin në Theth - Evakuohen dhjetëra turistë të akomoduar në bujtinë
Një zjarr i madh ka përfshirë një restorant në qendër të Thethit në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke shkaktuar panik dhe evakuim të menjëhershëm të dhjetëra turistëve të akomoduar në bujtinën ngjitur.
Zjarri shpërtheu rreth orës 02:00 pas mesnate dhe është vënë re fillimisht nga familjarët dhe fqinjët, të cilët ndërhynë menjëherë për të shmangur përhapjen e flakëve.
Restoranti është shkrumbuar plotësisht, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve, sipas pronarëve, ka ardhur me vonesë dhe ka vështirësuar përpjekjet për shuarjen e flakëve.
Për shkak të rrezikut që zjarri të përfshinte edhe strukturën e bujtinës, është organizuar evakuimi i dhjetëra pushuesve që ndodheshin brenda në momentin e incidentit. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po hetojnë shkaqet e zjarrit. Pronari i restorantit ka deklaruar se vetëm ekspertiza do të përcaktojë nëse bëhet fjalë për defekt elektrik apo për një zjarrvënie të qëllimshme.